Telegrafi

Gjermania, jep dritën e gjelbër planit për ndihmë financiare të Greqisë

Parlamenti dhe këshilli i landeve synojnë ta mbyllin procedurën ligjore deri të premten me një procedurë të përshpejtuar. Kreditë e emergjencës për Greqinë do të stabilizojnë euron në tërësi, është shprehur kancelarja gjermane Angela Merkel pas mbledhjes së qeverisë gjermane:

"Premisa për një ligj të tillë u krijua nga një ultima ratio, një situatë emergjence, kur Greqia praktikisht nuk kishte më akses në tregjet finaciare dhe nga kjo situatë do të kishte pasoja stabiliteti i euros. Reagimi ynë në formën e ligjit nuk do të thotë vetëm ndihmë për Greqinë, por edhe stabilizim të euros, me këtë ndihmojmë edhe njerëzit në Gjermani."

Gjithsej vendet e Eurozonës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar do t’i japin Greqisë kredi me një vëllim prej 110 miliardë eurosh. Kreditë gjermane vijnë nga Banka Gjermane për Rindërtim (Kfw) dhe garantohen nga federata.

Ligji përkatës mund të miratohet me shumicën, që koalicioni konservatoro-liberal ka në parlament. Partia Socialdemokrate në opozitë ka kërkuar përfshirjen e bankavenë programin e ndihmës për Greqinë .

Të Majtët do të votojnë kundër ndërsa të Gjelbrit u kanë drejtuar thirrje partive parlamentare të bashkohen për një reformim të euros.

Ndërkohë sindikatat greke kanë paralajmëruar greva të sektorëve të ndryshëm në shkallë vendi.