Telegrafi

Gjermania jep 40 milionë eurot e para

Pjesa e 40 milionëve është vetëm për vitin 2008, e cila përfshin 23 milionë euro grant apo para falas nga qeveria gjermane dhe 17 milionë tjera kredi e butë me pothuajse 0 për qind interes.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, tha se 40 milionë euro, janë pjesë e 100 milionë eurove që Qeveria e Gjermanisë ka dhënë në korrik në Konferencën e Donatorëve për shtetin e ri të Kosovës.

“Fokusi i Qeverisë Gjermane është po ai që Qeveria e Kosovës ka deklaruar dhe në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare ka vendosur në prioritetet e saj energjinë, infrastrukturën, arsimin, rendin dhe ligjin”.

Leo Kreuz, Shef i Divizionit në Ministrinë Federale për Ekonomi, Bashkëpunim dhe Zhvillim, tha se 40 milionë eurot e dhëna nuk do të jenë në tavolinë të Qeverisë së Kosovës menjëherë, mirëpo këto mjete do të shpërndahen varësisht projekteve.

“Financimi i parë është linja e transmisionit elektrik nga Tirana në Prishtinë, që është një shenjë e mirë për Kosovën dhe integrimin e saj në aspektin ekonomik”.

Sa i përket 60 milionë eurove tjera të cilat Qeveria e Gjermanisë i ka premtuar në Konferencën e Donatorëve, do të ketë edhe një protokoll tjetër në vitin 2009, që ata t’i japin të gjitha mjetet e premtuara.

Ndryshe nga 1.2 miliardë euro të dhëna në Konferencën e Donatorëve, 613 milionë janë projekte dhe të tjera shlyerje të borxheve ndërkombëtare, disa për buxhetin e Qeverisë së vendit.

Pas përfundimit të ceremonisë, është bërë edhe një ceremoni tjetër e nënshkrimit ndërmjet Bankës Gjermane për zhvillim dhe ProCredit Bankës, ku kjo e fundit ka fituar 10 milionë euro kredi për matjen efikase të energjisë elektrike. /Telegrafi/