Site icon Telegrafi

Gjermania e para në Europë, Amerika në botë me rezerva të arit

Gjermania ka avantazhin e “malit” më të lartë të arit në Europë dhe renditet e dyta në botë për këtë aspekt. Rezervat e arit të bankës qendrore gjermane, Bundesbank, arrijnë në fakt në 3374 tonelata dhe vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia kalojnë me 8133 tonelata.

Por shpejtësia e akumulimit të arit nga ana e Gjermanisë nuk ka krahasime: rezervat e arit u sekuestruan pas Luftës së Dytë Botërore, për shkak të plaçkitjes që nazistët i bënë bankave qendrore të aleatëve. Në vitin 1950, rezervat e arit ishin në nivel zero. Por rindërtimi i rezervave të arit është akumuluar në 70 vitet e fundit falë surplusit të llogarive korrente që nga vitet ’50.

Historia e rezervave të arit në Gjermani tregohet për herë të parë në një libër të Bundesbank të publikuar një ditë më parë me titullin “Das Gold der Deutschen”, që do të thotë ari i gjermanëve. Arsyeja kryesore e këtij publikimi është se pas pak ditësh do të bëhet një ekspozitë që i dedikohet rezervave të arit në Muzeun e Bundesbank e që ka si qëllim që të bëjë transparencë në përgjigje të shumë pyetjeve që bëhen nga qytetarët gjermanë ndaj bankës sa i përket arit të vendit.

Libri është prezantuar në selinë e bankës qendrore gjermane dhe ka një parathënie që mban firmën e kreut të bankës i cili thotë se “rezervat tona të arit janë edhe një shenjë e mrekullisë ekonomike gjermane pas Luftës së Dytë Botërore”.

Që nga vitet ’50 Gjermania ka nisur të akumulojë ar sepse marrëveshjet tregtare e ato të pagesave në atë kohë kërkonin që të kishte një sasi ari që korrespondonte me surplusin e llogarive rrjedhëse.

Gjithsesi, jo i gjithë ari i gjermanëve është i ruajtur fizikisht në selinë e Bundesbank: 50% gjendet në Frankfurt, 37% pranë “Federal Reserve” të Amerikës dhe pjesa e mbetur, 13 % pranë Bankës së Anglisë. /Telegrafi/

Exit mobile version