Site icon Telegrafi

Gjermania e para – dhjetë vendet që kanë investuar më së shumti në Kosovë

Gjermania, Zvicra dhe Turqia, të ndjekura nga Britania e Madhe e Austria janë pesë vendet që kanë investuar më së shumti në Kosovë, në dekadën e fundit.

Sipas raportit të UNICEF-it, del se vetëm tri vendet e para për këtë periudhë kanë investuar rreth 1.5 miliard euro.

Raporti tregon se këto investime janë bërë kryesisht në patundshmëri.

“Këto investime janë përqendruar kryesisht në pasuri të paluajtshme dhe në një masë më të vogël në shërbime financave, industri dhe ndërtim. Pjesa më e madhe e investimeve të huaja direkte të Kosovës parashikohet të zhvendoset drejt sektorit të energjisë, si një përparësi kombëtare; investimet më të rëndësishme të huaja janë të përqendruara në infrastrukturën energjetike”, thuhet në raportin e UNICEF-it, përcjell Telegrafi.

Brenda një dekade, Gjermania ka investuar mbi 500 milionë euro, e ndjekur nga Zvicra me 400 milionë euro dhe Turqia me po ashtu rreth 400 milionë euro.

Ndërkohë, Britania e Madhe me 300 milionë euro, Austria me mbi 200 milionë euro, Sllovenia me 200 milionë euro, Shqipëria me më pak se 200 milionë euro, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rreth 200 milionë euro, si dhe Bullgaria e Italia me më pak se 100 milionë euro.

Po ashtu, në raport tregohet se, investimet e huaja direkte janë në rënie.

“Investimet e huaja direkte konsiderohen shumë të ulëta për të pasur një ndikim në zhvillim dhe se për këtë ekziston një prirje e përgjithshme e rënies së tyre”, tregohet në raport.

UNICEF thotë se ekonomia e Kosovës është e mbështetur në remitanca dhe ndihmat e huaja.

“Modeli aktual i rritjes së Produktit të Brendshëm Bruto është i mbështetur në remitanca dhe ndihmat e huaja. Rritja e PBB-së ka mbetur pozitive në periudhën pas pavarësisë, duke arritur në 4.2 për qind deri në vitin 2018. Kjo varësi, së bashku me dobësitë strukturore të ekonomisë së Kosovës po bën presion mbi konkurrencën dhe produktivitetin, e cila ka kufizuar krijimin e vendeve të punës dhe zgjerimin e biznesit”, thotë raporti.

Sipas ndarjes, patundshmëria përbën 34 për qind të investimeve të huaja, e ndjekur nga sektori financiar me 17 për qind, industria me 12 për qind, ndërtimi me 11 për qind, transporti me 9 për qind, kurse 17 për qind e përbëjnë sektorët e tjerë.

Lexo po ashtu Ekonomia e Kosovës këtë vit nuk pritet të ketë rritje më shumë se 4 për qind

Nga raportet e fundit të institucioneve financiare, rritja ekonomike e Kosovës për vitin 2020 pritet të jetë 4.2 për qind. /Telegrafi/

Exit mobile version