Policia Federale Gjermane dhe Zyra Federale Kriminale Gjermane (BKA), kanë dhuruar pajisje dhe automjete me vlerë rreth 345,000 euro për Policinë e Shtetit.
Ky donacion i radhës vjen në funksion të përmbushjes efektive të detyrave nga Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, Departamenti për Sigurinë Publike, Instituti i Policisë Shkencore dhe Departamenti për Policinë Kriminale.
Donacioni përfshiu automjete, jelekë mbrojtës, laptop, programe, pajisje për leximin e dokumenteve, komplete pajisjesh mbrojtëse, radio komunikimi dhe uniforma taktike.
Ceremonia e dhurimit u organizua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku Drejtori i Përgjithshëm, Ilir Proda dhe drejtues të lartë të Policisë, mirëpritën ambasadorin e Gjermanisë, Karlfried Bergner, i cili dorëzoi pajisjet dhe automjetet.
Gjatë ceremonisë, Proda shprehu mirënjohje të thellë për miqtë solidë të Policisë shqiptare, partnerët gjermanë, të cilët e demonstrojnë në mënyrë të vazhdueshme besimin e tyre te profesionalizmi dhe korrektesa e efektivëve të Policisë së Shtetit.
Gjithashtu, Proda garantoi se pajisjet dhe automjetet e destinuara për sektorët kyç të Policisë së Shtetit, do të rritin dukshëm rezultatet e punës së tyre, për sa i përket rritjes së performancës dhe standardeve të policimit, si dhe progresimit të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve.
Më tej, Proda siguroi Bergner, se Policia e Shtetit mbetet plotësisht e angazhuar për intensifikimin e bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese gjermane, me qëllim përmbushjen e objektivave të përbashkët.
Ndërkaq, ambasadori Bergner theksoi rolin e rëndësishëm të Policisë së Shtetit Shqiptar në ndërtimin e shtetit të së drejtës, i cili është qëllimi i anëtarësimit në BE.
Ai u shpreh se urat e konsoliduara të partneritetit ndërmjet policisë shqiptare dhe policisë gjermane janë ndërtuar me kontribut reciprok dhe duke pasur prioritet luftën e përbashkët kundër krimit.
Ambasadori garantoi se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit do të vijojë të jetë konkret dhe direkt nëpërmjet donacioneve, trajnimeve, skuadrave të përbashkëta hetimore, shkëmbimit të metodave dhe praktikave, si dhe nëpërmjet operacioneve me impakt ndërshtetëror.