Site icon Telegrafi

Gjermania dhe Franca nuk e duan Superligën e Evropës, duan që 12 klubet themeluese të përjashtohen

Asnjë klub gjerman dhe francez nuk ka preferuar të bëhet themeluese e garës së re, Superligës së Evropës.

Federata Gjermane e Futbollit ka sulmuar 12 klubet që i dhanë jetë këtij organizimi të ri.

Nëpërmjet një komunikate zyrtare, me tone shumë të ashpra, Federata Gjermane e Futbollit kërkoi që klubet nismëtare të Superligës të përjashtohen nga të gjithë ligat kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Federata Franceze e Futbollit, që nëpërmjet kreut të saj, Noel Le Graet theksoi se UEFA dhe FIFA janë të bashkuara në këtë qëndrim dhe se klubet “rebele” duhet të ndëshkohen.

“Është vërtetë një skandal. Kam vënë re që UEFA dhe FIFA janë të bashkuar në këtë betejë dhe kjo u pa edhe nga deklaratat e tyre të sotme”.

“Nuk mund të vazhdohet në këtë rrugë pa u ndëshkuar. Këto klube duhet të marrin ndëshkim, nëse vijojnë me këtë projekt jorealist, ndonëse jam i mendimit që t’u japim shansin të reflektojnë”, u shpreh Le Graet.

Super Liga u krijua nga 12 klube, gjashtë prej të cilave angleze, tri italiane e tri spanjolle, ndërsa u refuzua nga Bayern Munich, Borussia Dortmund dhe Paris Saint Germain. /Telegrafi/

Exit mobile version