Franca dhe Gjermania janë të brengosura për situatën politike në Kosovë, në kohën kur uniteti politik është i nevojshëm për t’u përballur me krizën e COVID-19.
Në një deklaratë të përbashkët të ministrive të jashtme të këtyre dy vendeve, thuhet se “Kosovës i duhet një qeveri e qëndrueshme dhe plotësisht funksionale për t’u përballur me këtë krizë. Prandaj, u bëjmë thirrje që vota e votëbesimit ndaj Qeverisë të rishqyrtohet ose të shtyhet”.
“Ua rikujtojmë mbështetjen tonë për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, d.m.th në luftimin e korrupsionit dhe nxitjen e zhvillimit socio-ekonomik. Jemi të gatshëm të rrisim mbështetjen tonë për Kosovën në këto fusha”, thuhet në dklaratë, përcjell Telegrafi.
Sa i përket marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, diplomacitë e këtyre dy vendeve thonë se, “presim që të dyja palët të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të hequr pengesat për rifillimin e dialogut”.
“Mirëpresim qëllimin e kryeministrit Kurti për të rifilluar dialogun me Serbinë duke përfshirë të gjithë akterët, në mënyrë që Kosova të flasë me një zë. Vendimi i marrë nga Qeveria e Kosovës më 20 mars për heqjen e tarifës 100 për qind për lëndën e parë është hapi i parë i rëndësishëm në drejtim të duhur. Presim që tarifat të pezullohen plotësisht nga 1 prilli si dhe presim që Serbia ta kryej pjesën e saj të përpjekjeve”.
“Sapo të plotësohen kushtet për rifillimin e dialogut dhe të tejkalohet kriza e COVID-19, presidenti Macron dhe kancelarja Merkel planifikojnë të organizojnë një Samit në Paris, ku do të marrin pjesë liderët e të dyjave palëve si dhe Përfaqësuesi i Lartë Borrell”.
“Mosmarrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës është çështje e sigurisë evropiane, prandaj Bashkimi Evropian do të vazhdojë përpjekjet e lehtësimit menjëherë pasi që të dyja palët të dakordohen për rifillimin e bisedimeve. Koordinimi me partnerët tanë, në veçanti nga Shtetet e Bashkuara do të vazhdojë.
Qëllimi i dialogut duhet të mbetet normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përfundimtare ligjërisht të detyrueshme. Arritja e këtij objektivi është kusht për të dyja palët në mënyrë që të anëtarësohen në Bashkimin Evropian”, thuhet në deklaratën e diplomacisë gjermane e franceze. /Telegrafi/