Site icon Telegrafi

Gjermania, 17 milionë euro Kosovës

Qeveria e Kosovës dhe Gjermania arritën marrëveshje për bashkëpunim financiar. Nga kjo marrëveshje rrjedh që 17 milionë euro, Gjermania ka ndarë grante, për projekte të ndryshme në menaxhimin e ujërave dhe mbeturinave.

Ambasadorja gjermane, Angelika Viets tha se deri më tani Gjermania ka përkrahur Kosovën me mbi 500 milionë euro.

“Përmes këtyre projekteve Gjermania dëshiron të përkrahë Republikën e Kosovës të ofrojë perspektivë për qytetarët e saj në vendin e tyre. Furnizimi stabil me ujë dhe furnizimi i pandërprerë me ngrohje gjatë dimrit janë shërbime të rëndësishme për qytetarët e Kosovës“, theksoi Viets.

Kurse, ministri i Financave, Avdullah Hoti, vlerësoi lartë këtë marrëveshje, duke thënë se këto grante të ndara sot nga Gjermania për Kosovën do të shfrytëzohen për projektet të cilat janë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës.

“Ministria e Financave në vazhdën e bashkëpunimit financiar të realizuar ndër vite me Qeverinë Federale të Republikës së Gjermanisë si partner i rëndësishëm bilateral për asistencë financiare dhe teknike, ka paraparë nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim financiar për vitin 2015. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është i nevojshëm si rezultat i mungesës së marrëveshjes kornizë, e cila do të definonte bazën për negocimin e çdo marrëveshje financiare me këtë Qeveri, dhe me këtë rast ju njoftoj se arritja e marrëveshjes kornizë me shtetin gjerman veçse është në proces”.

“Këto projekte paraqesin rëndësi të madhe për vendin dhe qytetarët e saj. Andaj pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, pritet nënshkrimi i marrëveshjeve të veçanta financiare për grant për këto projekte të lartë përmendura”, tha Hoti. /Telegrafi/

Exit mobile version