Janë 13 milionë euro të ndihmës më të Qeverisë gjermane për Kosovën, ndihma këto që do të ndihmojnë në zhvillimin e projekteve të ndryshme e që kanë të bëjnë kryesisht me personat kosovar të kthyer nga migracioni.
Nga kjo ndihmë mund të zhvillohen projekte në arsim, rini dhe punësim, prioritete këto të shpallura edhe nga qeveria e Kosovës. Kështu thanë ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt dhe ministri i Financave i qeverisë së Kosovës Bedri Hamza, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet dy shteteve që përfshinë edhe ndihmën e fundit prej afro 13 milionëve.
“Nënshkrimi i marrëveshjeve të arritura ditëve të fundit mes dy qeverive ka rëndësi shumë të madhe për zhvillimin ekonomik. Gjermania e ka mbështetur vazhdimisht Kosovën dhe kjo ndihmë do të vazhdojë në shumë aspekte, me theks të veçantë në fushën e arsimit që rrjedhimisht në të ardhmen të rriten mundësitë për punësim”, u shpreh ambasadori gjerman Heldt.
Mbështetja financiare në volumin 13 milionë Eurove është ndihmë nga taksapaguesit gjermanë, tha ministri i financave në qeverinë e Kosovës, Bedri Hamza, duke theksuar se ndihma e Gjermanisë për Kosovën në rrafshin financiar dhe teknik do të ndihmojë në rrugën drejt integrimit sa më të shpejt të Kosovës në BE.
Dy ditë më parë edhe organizata gjermane GIZ paraqiti një projekt të quajtur “YES”, që do të ndihmojë në ngritjen dhe rritjen e aftësive të të rinjve kosovar që ta kenë më të lehtë të gjejnë punë në tregun e brendshëm, por edhe në atë të jashtëm. Shumë organizata gjermane ndihmojnë me projekte të ndryshme në Kosovë, përfshirë këtu edhe Qendrën Gjermane të Informimit për Migrim, Aftësim Profesional dhe Karrierë (DIMAK), zyrë kjo e cila ka tri vjet që ushtron aktivitetin e saj në Kosovë. Zyra e DIMAK ofron informata dhe këshillime rreth kushteve për migrim legal në Gjermani, mundësitë për arsim dhe aftësim profesional në Gjermani dhe mundësive për praktikë në Kosovë dhe Gjermani. Gjermania është një ndër donatorët më të mëdhenj pas luftës në Kosovë me një volum që kap shifrën e rreth 500 milion Euro ndihma, në projekte të ndryshme, që nga infrastruktura, sektori i energjisë dhe ujërave, programe për edukim, aftësim profesional e deri tek ndihmat konkrete për të riatdhesuarit. /DW/