Gjermania do të përballet me një valë të re të COVID-19 në javët e ardhshme, që mund të jetë më e keqe se kulmi i fundit i infektimeve që dëshmoi vendi në dhjetor, sipas Institutit “Robert Koch” (RKI) për Kontrollin e Sëmundjes.
“Trendi aktual tregon se numri i rasteve ka të ngjarë të jetë më i lartë, duke filluar gjatë javës së 14-të kalendarike, sesa niveli që pamë rreth Krishtlindjes”, shkruhet në raportin e RKI-së.
RKI tha se parashikimet e tij tregojnë vendin me një normë incidence prej 350 rastesh për 100 000 banorë deri atëherë, e krahasuar me normën aktuale prej 76,1.
Institucioni shtoi, gjithashtu, që shumica e rasteve të reja do të jenë nga varianti britanik i virusit.
Ekspertët vunë në dukje se numrat e rasteve për këtë variant janë dyfishuar çdo 12 ditë, që nga java e dytë në janar, ndërsa variantet e tjera të virusit po bien me 19 % në javë.
Rastet ditore arritën rreth 31 000 në mes të dhjetorit, përpara se të binin ngadalë në janar dhe shkurt.
Por, ditët e fundit, shifrat e rasteve janë rritur, ndërsa zyrtarët gjermanë po përgatiten të lehtësojnë kufizimet që kanë mbyllur shkolla dhe biznese për muaj të tërë.