Site icon Telegrafi

Gjermani, bien importet dhe eksportet

Suficiti tregtar në Gjermani regjistroi rënie të konsiderueshme gjatë Gushtit, për shkak të performancës shumë të dobët të eksporteve.

Sipas të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave suficiti tregtar rezultoi në 17.5 miliardë euro në Gusht nga 22.2 miliardë që ishte në Korrik. Analistët parashikonin një rënie deri në 18.5 miliardë euro. Shkaku kryesor i kësaj performance ishte rënia me 5.8% e eksporteve gjatë Gushtit. Kjo është rënia më e madhe mujore që nga kulmi i krizës financiare globale në Janar të vitit 2009.

Kjo është një shenjë tjetër, që ekonomia më e madhe e Europës po dëmtohet nga dobësia në zonën Euro dhe nga krizat jashtë vendit. Autoritet në Gjermani deklaruan se, edhe pushimet verore kanë kontribuar në rënien e eksporteve dhe importeve, por shifrat paraqesit një tablo të zymtë për ekonominë më të madhe në Europë, që ka qënë motori i rritjes gjatë periudhës së krizës. Të dhënat e kësaj jave, pritet në nxisin një debat, nëse qeveria e kancerales Merkel duhet të rrisë investimet publike në infrastrukturë, apo të ketë si prioritet reduktimin e deficitit.

Të dhënat treguan gjithashtu se, edhe importet ranë me 1.3% gjatë Gushit, ndërsa analistët parashikonin një rritje me 1%.

Ekonomia gjermane pati një start të fuqishëm në fillim të vitit, por ra me 0.2% në tremujorin e dytë. Referuar të dhënave të publikuara deri më tani, edhe tremujori i tretë do të jetë i vështirë dhe disa analistë parashikojnë se Gjermania do të kalojë në recesion teknik. /Telegrafi/

Exit mobile version