Telegrafi

Gjermani, 1500 raste korrupsioni dhe 150 miliardë euro evazion

Në Gjermani korrupsioni më i madh bëhet në ekonomi. Raste spekulative ka pasur në Wolksvagen, ku anëtarëve të bordit drejtues u janë dhuruar udhëtime në vende të largëta e ekzotike, por edhe shërbime seksuale – në shërbim për nënshkrime kontratash.

Firma Siemens ka dhënë shuma milionëshe për mitë, në mënyrë që të sigurojë sa më shumë porosi. Zaten, veprimi i tillë konsiderohet rast klasik korrupsioni. Por, “nuk ka çka s’ka”, pohon një nga hetuesit më të rreptë, prokurori publik nga Frankfurti Wolfgang Schaupenschtainer, i cili thotë se në Gjermani janë zbuluar rreth 1 500 raste të korrupsionit, gjë që, sipas tij, paraqet vetëm 5 për qind të të gjitha rasteve. Afro 40 për qind e rasteve të korrupsionit bëhen në shërbimet publike.

Kryesisht bëhet fjalë për mitë, me qëllim që të fitohen lejet për ndërtime shkollash, stadiumeve sportive, rrugëve. Në fakt, për punime të tilla do të duhej të shpalleshin tenderë – por vetëm deri në një shumë të caktuar, thuhet në një shkrim autorial të radios Deutsche Welle.

Veçmas të prirë për korrupsion janë pushtetarët që japin leje. Momentalisht është duke u hetuar një firmë afariste për shitjen e farërave. Në hetimin e këtij rasti është angazhuar luftëtari për mbrojtjen e mjedisit Kristof Ten: “Gjurmët e mitës shkojnë deri te autoritetet kompetente të Entit për mbrojtjen e konsumatorëve. Aty ka mjaft individë që, siç thuhet, janë të afërt me industrinë”.

Kjo afërsi me gjasë është problem i posaçëm, sidomos te politikanët të cilët marrin vendime shumë të rëndësishme. Vetëm gjatë dy mandateve të fundit, nëntë sekretarë shtetërorë pas largimit nga pozita shtetërore kanë shkuar direkt në ekonomi. Eksperti i të drejtës, Peter Alexis Albrecht thotë se ktë janë “gjëra për të cilat arrihet ujdia brenda dyerve të mbyllura. Secili e di çka mundet e çka nuk mundet dhe prokuroria shtetërore nuk ka mundësi të dëshmojë se çfarë marrëveshje është arritur më parë. Prokuroria është e pafuqishme…”.