Site icon Telegrafi

Gjermanët do të votojnë për kanceralin e ri – kush është favorit sipas sondazheve të fundit?

Gjermania po përgatitet të mbajë zgjedhje – dhe kjo është vota më e rëndësishme në Europë në tri vitet e fundit.

Zgjedhjet për Bundestag, parlamentin gjerman, do të përcaktojnë të ardhmen e kontinentit evropian, duke pasur një ndikim të thellë në politikat e brendshme të Gjermanisë, si dhe në marrëdhëniet e saj me shtetet e tjera të BE-së dhe fuqitë botërore si Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Është shumë e mundshme që këto zgjedhje të sjellin rezultate të papara për ekstremistët e djathtë të Alternativës për Gjermaninë (AfD), e cila ka marrë përkrahje të madhe gjatë vitëve të fundit për qëndrimet e saj euroskeptike dhe nacionaliste.

AfD kërkon heqjen e sanksioneve ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, dhe kthimin e gazit rus në Gjermani, duke argumentuar se kjo do të ndihmonte në uljen e çmimeve të energjisë dhe rritjen e sigurisë energjetike për vendin. Po ashtu, kjo parti ka shfaqur një qëndrim të ashpër kundër emigracionit dhe politikave të BE-së për refugjatët.

Megjithatë, deri tani, Friedrich Merz i CDU/CSU, një koalicion konservator, duket të ketë shanset më të mira për të fituar në zgjedhjet e nesërme parlamentare. Ai ka përfshirë në fushatën e tij një mesazh të fuqishëm për stabilitetin ekonomik dhe sigurinë kombëtare, si dhe një qëndrim të fortë ndaj NATO-s dhe Bashkimit Europian. Merz është përpjekur të kapitalizojë mbi pakënaqësinë e votuesve të qendrës dhe të djathtës me politikat e qeverisë aktuale.

Përveç kësaj, rezultatet e një ankete të fundit nga BILD sugjerojnë se një triler i vërtetë para-zgjedhor mund të zhvillohet në Gjermani nesër, me përbërjen e koalicionit të ri qeverisës që varet nga margjinat e pikëve të përqindjes.

Po ashtu, përpjekjet për të formuar një koalicion qeveritar të qëndrueshëm mund të përfshijnë negociata të komplikuara mes partive të ndryshme, pasi asnjë parti nuk pritet të fitojë një shumicë absolute. Ky do të jetë një moment kyç, pasi vendimet që do të merren në këtë periudhë mund të ndryshojnë jo vetëm politikën gjermane, por edhe të ndikojnë në rendin politik dhe ekonomik të Europës. /Telegrafi/

Exit mobile version