Site icon Telegrafi

Gjermanët kureshtarë: Si po e lufton korrupsionin Shpendi

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dje pasdite ka pritur në vizitë një grup deputetësh gjermanë të Parlamentit shtetëror të landit Nordrhein Westfalen, të cilët po qëndrojnë për një vizitë një javore në Kosovë.

Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se Ahmeti në takim ka folur për sfidat dhe arritjet në qeverisjen në Prishtinë qysh prej fillimit të mandatit të tij.

“Deputetët gjermanë ishin kureshtarë të dinin se si Ahmeti po ia del ta luftojë korrupsionin. Ata ishin të informuar për 120 rastet që tashmë po procesohen në prokurori, dhe po ashtu shtruan pyetje se si po ia arrihet ta menaxhohet kryeqyteti me një buxhet minimal”, thuhet në komunikatën e Zyrës për informim të komunës së Prishtinës.

“Me një vetëmohim politik, përkundër shumë sfidave, është arritur që të adresohen problemet dhe nevojat e qytetarëve”, është shprehur Ahmeti.

Ai shpalosi disa nga projektet e ardhshme, të cilat, siç thuhet në komunikatë, priten të funksionalizohen gjatë viteve në vazhdim, si hapja e çerdheve të fëmijëve në disa lagje të Prishtinës, punimet e ardhshme në rrafshin e infrastrukturës, si dhe për ndërtimin e fabrikës së ujit në Shkabaj që është projekt i përbashkët i Komunës, kompanisë së Ujësjellësit dhe KFW-së gjermane e që do ta përmirësojë furnizimin me ujë jo vetëm për Prishtinën, por në nivel regjional.

Exit mobile version