Telegrafi

Gjergji: Krishtlindja le të rikuperojë virtytet e dashurinë në mes njerëzve

“Zoti është burim i jetës. T’i kthehemi të vërtetës, t’i kthehemi burimit, t’i kthehemi shpellës së Betlehemit ku një foshnje e vogël na është ofruar dhe ajo foshnje është Zoti. Dhe porosia e tij është ‘Të Dua’. Aty ku nuk Zot, nuk ka jetë, aty ku nuk kënaqësi aty nuk ka lumturi”.

Këto ishin disa nga fjalët e Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Dodë Gjergji, në meshën e sotme të mbajtur në Katedralen ‘Nëna Terezë’ për festën e Krishtlindjes.

Në mesazhin e tij, Gjergji tha se me gjithë perfeksionit që Zoti ka bërë kur ka krijuar njeriun, ky i fundit nuk është mjaftuar ndërsa ka krijuar lakminë, ku për pasojë humbi lirinë e dinjitetin.

Gjergji bëri thirrje që njerëzit të mbështeten në Zotin dhe Jezu Krishtin.

“Zoti dëshiron që njeriu ta gjejë partnerin e komunikimit të bashkëjetesës dhe bashkëveprimit, mirëpo njeriu si duket nuk e kuptoi gjuhën e Zotit, gjuhën e varfërisë, dhe u mashtrua nga e keqja, nga lakmia dhe dëshiroi të ishte si Zoti – humbi dinjitetin, humbi lirinë dhe si i tillë ra në robërinë e djallit, në robërinë e mëkatit dhe vdekjes. Zoti nuk dëshiron që kryevepra e tij të jetë e robëruar, copëtuar e shëmtuar, po herë pas here Zoti foli në mënyra të ndryshme, foli nëpërmes profetëve. Krejt Besëlidhja e Vjetër është një porosi, një fjalë, një dëshirë e Zotit që mos ta lejë njeriun e robëruar”, ka thënë Gjergji.

Gjergji bëri thirrje që virtytet dhe vlerat njerëzore të kthehen tek njeriu, por që sipas tij një gjë e tillë nuk mund të arrihet pa besuar dhe mbështetur në Zot.

Ai mori shembull bamirësen shqiptare Nënë Terezën.

Kryeipeshkvi tha se Zoti vazhdimisht komunikon me njeriun, ndërsa sipas tij komunikimi është dashuria, fjala e parë me të cilën Zoti krijoi qiellin me tokën dhe si kryevepër krijoi njeriun Adamin dhe Evën dhe pasardhësit e tyre ishin shprehje e dashurive.

Gjergji duke bërë thirrje që Krishtlindja të rikuperojë vlerat dhe virtytet njerëzore, paqen e solidaritetin në mes njerëzve, tha se çdo ditë e më shumë kemi më pak falënderime e dashuri mes tyre.

“Çka na duhet ne është që të dalim prej kësaj kllapie dhe robërie, të egoizmit te egocentrizmit, të pedofilizmit, të materializimit dhe shpeshherë të ateizmit praktik. A nuk po e shohim se gjithnjë e më pak kemi nderim, kemi falënderim e mbi të gjitha kemi dashuri, kjo ndodhë sepse ku s’ka Zot, aty nuk ja jetë”, tha Gjergji. /kp/Telegrafi/