Telegrafi

Gjergjaj premton befasi ndaj Hayes

Arnold Gjergjaj është i vetëdijshëm për sfidën që e pret të shtunën mbrëma në Londër, kur do të ketë përballë ish-kampionin e botës, David Haye. Mirëpo, Gjergjaj është i bindur në triumfin e tij.

“Unë do të boksoj me një prej boksierëve më të mëdhenj në planet. Do të jetë një betejë e jashtëzakonshme dhe do ta fitoj këtë betejë”, ka thënë Gjergjaj në konferencë për media të mërkurën, transmeton Koha Ditore.

Gjergjaj 31-vjeçar është aktualisht boksieri më i mirë shqiptar në kategorinë e rëndë. Ai zhvillon karrierën në Zvicër, ndërsa ka fituar 29 meçet e deritashme në boksin profesionist, prej tyre 21 me nokaut. Të shtunën mbrëma në Londër do të ndeshet me britanikun David Haye, që ka 27 fitore e dy humbje, në një duel në dhjetë raunde.

Haye gjatë karrierës ka qenë kampion bote në kategorinë kruzer dhe më pas në atë të rëndë. Për Hayen është vetëm përballja e dytë që nga rikthimi pas një pauze prej tre vjet e gjysmë.

Boksieri legjendar britanik Lennox Lewis ka vlerësuar se Haye po e rrezikon armën e tij më të fortë, shpejtësinë, duke shtuar peshë. Mirëpo Haye insiston se ai e ka shpejtësinë dhe eksplozivitetin që e kishte në të kaluarën.