Telegrafi

Gjergj Xhuvani, nga jeta në film

Nga: Josif Papagjoni

Gjergj Xhuvani u shua… Jeta është një vrap. Dhe vrapi të lodh. Kur vrapin tënd e çon deri në fund, atje ku vdekja vjen dhe të hap portën e amshimit, dhembja është gjithsesi më e butë, më e “pranueshme”, si të thuash, e “arsyeshme”.

Por, kur vrapi yt ndërpritet në mes nga fati i ligsht, dhembja është e madhe, ti gjendesh para një befasie. Lëshon një “ah”, si kaq shpejt, sa fatkeq ishte! Kështu e përjetova lajmin e largimit nga jeta të kineastit të mirënjohur, Gjergj Xhuvani. Ndaj tij nuk kisha vetëm respektin si një artist që u imponua me talentin, mençurinë, vizionin dhe vullnetin e tij në kinematografinë tonë pas vitit 1990. Brenda emrit të tij, afërmendsh, ishte dhe i nderuari shkrimtar dhe urtan Dhimitër Xhuvani, por mbi të gjitha e shoqja e Gjergjit, aktorja e mrekullueshme, Liza Xhuvani, me të cilën më kanë lidhur fije kujtimesh e nostalgjish të shenjta qysh kur ajo u shfaq me talentin e saj, ende një adoleshente, në tetëvjeçare e më pas në gjimnazin “Hasan Tahsini” në Sarandë, ku unë punoja asohere në këtë qytet si regjisor. Një familje e një çift artistësh të vërtetë, gjithkush në cilësinë, vetjakësinë dhe identitetin e vet krijues.

Gjergji ishte regjisor, skenarist e producent. I lindur në Tiranë, dhe si biri i shkrimtarit të njohur, Dhimitër Xhuvani, ai erdhi nga një shtëpi librash, kulture, arti. Vetiu udha e tij drejt Institutit të Lartë të Arteve më 1982 në degën dramatike, ku kreu studimet e larta, nuk ishte e rastësishme. Qysh në auditoret e shkollës ai u lidh fort me Luiza Papathanasin, e cila do të bëhej e shoqja e tij, një dashuri e sprovuar viteve studentore e gjithë jetën, duke ushqyer te njëri-tjetri shpresën e bukur të ëndrrës që fal arti, hijeshinë dhe shijen e aktrimit, ekranit dhe skenës. Fill pasi mbaroi shkollën nisi punë si asistent regjisor në kinostudion “Shqipëria e Re”. Dhe, perdja e karrierës së tij u hap kryekreje. Ai e ndjeu veten aty, në lojën e imazhit.

Pas disa ngulmimeve e ndihmesave si asistent regjisor, filmi i tij i parë i pavarur si regjisor ishte “Bardhezi” (1991) me metrazh të shkurtër. Me “Funeral Business” (1999, nderuar me Çmim të Veçantë në Festivalin XI të Filmit Shqiptar), Xhuvani bën një kapërcim cilësor ku, krahas vrazhdësisë së jetës, krimit dhe çekuilibrit social të vitit 1997, aplikohet një gjuhë kinematografike që synonte risimin e mjeteve shprehëse, mbërritjen në caqet e një metafore që përmbahet në vetë titullin, absurditetin e situatës ku vdekja shndërrohet në ritual. Këto shprehen saje konceptimit origjinal të subjektit, duke përdorur formën tragjikomike me praninë edhe të elementeve të groteskut e një farë “pastishi” në gjuhën e filmit. Njeriu i ngratë rreket të mbijetojë në një situatë anarkie, absurdi dhe budallallëku social: dikush jeton përmes të vdekurve që shtohen dhe porosive për arkivole, e dikush tjetër, krejt i pafajshëm, në përpëlimën ekzistenciale për të mbajtur familjen, bëhet viktimë e çmendurisë kolektive teksa plumbat e kallashëve shpojnë qiellin e rrahin muret e shtëpive, pa u marrë vesh përse e gjitha kjo! Dhe kështu ironia me tragjiken ecejaken zgjidhjeve të pakuptimësisë së kohës.

Kjo poetikë regjisoriale e hasur te “Bardhezi” do të konsolidohet më tej posaçërisht me filmin “Slogans” (Parullat), 2001, një film kritik ndaj diktaturës dhe ideologjizimit të skajshëm të shoqërisë, ku njeriu sulmohej gjithkah nga parullat dhe citatet politike, ku ideologjia shndërrohej në një mit moral të zhbërë, ku dashuria bartej si brengë e ndëshkim i pamerituar, si poshtërim dhe pamundësi, nën një realitet të ashpër, çudan e pervers dhe ku çdokush survejohej nga syri i lig, cinik e xheloz i “pushtetarëve të vegjël” të katundit, këto paradigma të bastarduara të “liderëve” komunistë, bashkëshoqëruar më tej nga një sfond i frikshëm dhune dhe diferencimi politik që ushtrohej ndaj njerëzve të pafajshëm, të shkretë e të pambrojtur, të cilët burgoseshin për t’u kallur datën të tjerëve. Ky film arriti të hyjë e të fitojë çmim në seksionin e veprave të para të Festivalit të Kanës si dhe fitoi Çmimin e Madh (Gran Prix) në Festivalin Ndërkombëtar të Filmave në Tokio.

Shpesh në idetë regjisoriale të Gjergj Xhuvanit, i cili në shumicën e filmave është edhe autor apo bashkautor skenari me të atin, ngulmohet që nga një histori a fat njerëzor konkret të kalohet drejt simbolizimit të tij duke mbërritur në caqet e një metafore filmike, sikurse vihet re kjo tek E diela e fundit (1992), mbi vetminë dhe braktisjen e të moshuarve, që në thelb shënon triumfin e indiferencës, shpërfilljes, thirrjen për më shumë dashuri, vëmendje, kujdes ndaj njeriut (filmi ka marrë Çmimin e Veçantë të jurisë për filmat me metrazh të shkurtër në Festivalin Mesdhetar të Filmave “Bastille 93”, Francë). Historia e dhimbshme e një plaku, mundimi dhe përkushtimi i tij ndaj të tjerëve, që të çon drejt paradigmës biblike të Shën Thomait, është brendia e filmit tjetër Një ditë nga një jetë (1993). Një tjetër histori dhe fat njerëzor sjell ai në filmin Dashuria e fundit (1994, fitues i çmimit “Regjia më e mirë” në Festivalin X të Filmit Shqiptar), tashmë për një grua të shfrytëzuar egërsisht nga trafikantët e qenieve njerëzore, me rini të shkelur, e dëshpëruar nga fati dhe keqpërdorja, por që gjen fillin e një jete dhe dashurie të re, e fundit e saj, me një të huaj, dashuri të cilën e mbron me duf e trimëri si rilindje të saj, paçka se nën kërcënimin dhe dhunën e kriminelëve.

Në filmin “I dashuri armik” (2004), ku ai fitoi dhe çmimin Kult, falë një situate paradoksale dhe sjelljeve disi groteske të njerëzve, nën një vështrim ironik e shpesh komik, kineasti tubon një grup njerëzish brenda një bodrumi (që bëhet metaforik), me fare pak hapësirë, në një situate frike e kërcënimi për jetën. Kësodore i është mëshuar idesë ekzistencialiste të mbijetesës, të qenies humane si të tillë, çka i sheh gjithë njerëzit e ngujuar pikërisht si “njerëz”, jo si partizanë të këtij apo atij krahu, as kush ka të drejtë e kush jo. Ai i “bashkon” çuditërisht armiqtë dhe kundërshtarët e “rastësishëm” nën një çati e apel human paqeje e mbijetese, duke shënuar kështu edhe një vështrim krejt ndryshe mbi luftën, mbi “armikun” dhe duke nxjerrë në spikamë pikërisht anën njerëzore të personazheve, të cilët e kuptojnë se tepritë, armiqësitë dhe lufta janë të padëshirueshme, se gjithkush është ose mund të bëhet viktimë e saj, se edhe armiku shihet “ndryshe”, si qenie njerëzore që po njësoj si të tjerët, ka ndjeshmëritë e tij, vuan dhe shfaq anën e mirë kur duhet, ndryshe nga klishetë e dikurshme e të parapara kur personazhet doemos duhet të jepeshin si armiq politik nën skemën e “luftës së klasave”. Ky film i bën nder konceptimit të ri të luftës dhe çdo kontradikte politike që rreket të zgjidhet përmes saj (luftës), duke i mëshuar pikërisht vlerës humane, asaj çka i bashkon njerëzit.

Në zgripin e ndryshimit të madh të vitit 1990, puqja e dy skajeve, shtrëngesat dhe pamundësitë, nga njëra anë dhe iluzionet e zhgënjimet nga ana tjetër, kjo temë dykrerëshe shndërrohet në peripecinë zotëruese të filmit “Lindje, Perëndim, Lindje” (2008). Një turne çiklistik jashtë vendit konvertohet në rrethanën dhe premisën e shpërfaqjes së dy realiteteve: atij të periudhës së diktaturës me varfërinë, mungesat, kontrollin, izolimin, lirinë e dhunuar dhe atij të botës perëndimore me luksin, bollëkun e konsumit, lirinë deri në tepri, të drejtat e njeriut. Mes këtyre dy skajeve vendoset aventura e çiklistëve vajtje-ardhje, shprishja e iluzionit të “botës së bukur” të imazheve televizive, teksa pas episodesh sa komike aq dhe dramatike të kthimit, hasen befas me imazhin dramatik të një Shqipërie të shkatërruar me tërësej, pa një tra kufiri doganor, e që megjithatë është streha ku ata duhet të shkojnë…

Imazhi filmik i Gj. Xhuvanit dallon për krijimin e raporteve sa më organike midis njeriut dhe mjedisit shoqëror ku ky vendoset, gjithmonë i vëmendshëm ndaj ngarkesës shpirtërore të heroit, por jo dhe pa një sens shpotie, ironie, shpesh shakaje. Një vel trishtimi mbulon qasjet dramatike me synimin për t’i bërë ato sa më prekëse, të besueshme dhe përkundër toneve retorike, patetike apo teatralitetit. Nga filmi në film, veç vështrimeve origjinale mbi dukuritë e jetës dhe subjekteve tërheqëse, ai përkujdeset për krijimin e një atmosfere sa më pranë të vërtetës, porse pa e anashkaluar prirjen për sinteza artistike në voli të simbolikës a metaforës së synuar. Filmi televiziv me dhjetë seri “Në kërkim të kujt” (2011), paçka se prekte një problematikë të mprehtë që kalonte përmes situatave sa dramatike aq dhe absurde, kishte humbje të ritmit, zgjatje, përshkrime, ndonjëherë dhe artifice. Aktorja e njohur, Luiza Xhuvani, që është edhe bashkëshortja e tij, ka luajtur thuajse gjithë rolet e protagonisteve në filmat e tij. Ndërkohë ka xhiruar edhe filmat “Engjëjt janë larg” (2017), “Liqeni im” (2018).

Filmi ishte jeta e tij. Ndonëse lëngonte nga sëmundja e diabetit dhe pat bërë edhe një operim të vështirë në njërën nga gjymtyrët, ai nuk mund të hiqte dorë nga arti, nga kamera, nga aktorët, nga filmi. Mendja e tij ishte e mbushur me imazhe, skenare, projekte të reja. Si njeri i hapur dhe “babaxhan”, ai kishte simpatinë e gjithë studentëve të kinematografisë në Universitetin e Arteve ku ishte njëri nga pedagogët më të respektuar. Edhe në Itali ku dha frymën e fundit, pikërisht me montazhin e një filmi të ri po merrej. Mesa duket, arti e donte më fort dhe e mori në krahët dhe ëndrrat e tij, që kurrë nuk shuhen e kurrë nuk do të zhbëhen, ashtu si emri dhe ndihmesa e tij në kinematografi kurrë nuk harrohet.