Site icon Telegrafi

“Gjeravica” eksploruese e bukurive të Pejës: “Borea” do ta ndihmojë turizmin e qytetit (Foto)

Përveç pjesës rekreative – sportive, anëtarët e Shoqatës së Bjeshkatarëve “Gjeravica”, po merren edhe me promovimin e pjesëve turistike të qytetit të Pejës.

Raif Gjikolli, anëtar i kryesisë së shoqatës “Gjeravica”, ka treguar për Telegrafin se ngjitja e tyre nëpër bjeshkët që e rrethojnë qytetit perëndimor të Kosovë, është e përjavshme.

Ai ka theksuar se “malet tona janë bërë atraktive jo vetëm për pejanët, por edhe për turistët e huaj”.

“Janë pjesë jashtëzakonisht të bukura dhe atraktive, veçanërisht nëse e kemi parasysh kohëzgjatjen e borës në këto anë. Këtë vikend kemi qenë në majën e Çferles, në lartësi prej 2,460 metra, dhe atje ende ka sasi të konsiderueshme të borës” ka shtuar Gjikolli.

Më tutje ai ka folur edhe për Qendrën Turistike “Borea”, realizimi i të cilit, sipas tij, po pritet shumë mirë nga pejanët.

“Besoj se kjo do t’i jap frymë Pejës në aspektin turistik. Ne tash në turin e fundit ishim në pjesët ku është parashikuar që të kalojë ‘Borea’, dhe lirisht mund të them se kemi të bëjmë më diçka shumë të veçantë”, ka theksuar Gjikolli.

Ai ka thënë se “Gjeravica”, do ta vazhdoj punën e saj, duke iu bërë thirrje të rinjve veçanërisht që të behën pjesë e organizimeve të kësaj shoqate, të cilat janë bërë tashmë të përjavshme./Telegrafi/

Exit mobile version