Site icon Telegrafi

Gjërat që s’i keni ditur për kryeministrat e Shqipërisë: Një e treta të dënuar me vdekje, shtatë të vrarë, tre të dënuar me burg

Së pari, janë shtatë kryeministra të vrarë në atentate. Një histori kaq e trishtë nis që me kryeministrin e parë Ismail Qemal Vlorën, të cilin e helmuan në hotelin “Brufoni” në Perugia të Italisë, dhe që vijon më parë me vrasjen në atentat të Esad pashë Toptanit, të Hasan Prishtinës, Idhomeno Kosturit, apo të Maliq Bushatit të pushkatuar si armik i popullit e Kostaq Kotës që vdiq në burgun e Burrelit nga torturat.

Por, edhe më e rëndë është vrasja në detyrë apo vetëvrasje, sipas versionit zyrtar, të Mehmet Shehut.

Shifrat vijojnë më tej edhe më të rënda: 10 kryeministra në historinë e shtetit shqiptar janë dënuar me vdekje, pra një e treta e tyre.

Më poshtë disa statistika të përgatitura për DITA nga gazetari Roland Qafoku

Shtatë kryeministra të vrarë

Shtatë kryeministra në historinë e shtetit shqiptar janë vrarë. Ata janë Ismail Qemali – i helmuar, Esad Pashë Toptani – i vrarë në atentat, Hasan Prishtina – i vrarë në atentat, Xhaferr Ypi – i vrarë nga bombardimi, Idhomeno Kosturi – i vrarë në atentat, Kostaq Kota – vdekur në burgun e Burrelit nga torturat, Maliq Bushati – i pushkatuar si armik.

Dhjetë kryeministrat e dënuar me vdekje

Mes 33 kryeministrave, 10 prej tyre janë dënuar me vdekje. Ata janë: Ahmet Zogu, Fan Noli, Maliq Bushati, Ibrahim Bicakciu, Kostaq Kotta, Shefqet Verlaci, Rexhep Mitrovica, Mustafa Kruja, Ekrem Libohova dhe Fiqiri Dine.

Numrin më të madh e kanë kryeministrat që kanë qeverisur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe që regjimi komunist i shpalli kriminelë lufte dhe i dënoi me vdekje në mungesë, duke pretenduar që fuqitë e mëdha do t’i dorëzonin.

Mes 10 të dënuarve me dënim kapital, janë ekzekutuar dy prej tyre: Maliq Bushati u pushkatua dhe Kostaq Kota vdiq në burg.

Ndërkohë, Ahmet Zogu dhe Fan Noli kanë dënuar njëri­tjetrin me vdekje pas kryengritjes së vitit 1924, kur Noli erdhi në pushtet dhe në dhjetor të atij vitit kur Zogu erdhi sërish në pushtet.

Tre kryeministra të dënuar me burg

Janë tre kryeministra pas vitit 1990 që janë dënuar dhe kanë bërë burg. Adil Çarçani dënua me 15 vjet, por bëri tri vjet, i dënuar për abuzime me pushtetin gjatë regjimit komunist; Fatos Nano u dënua dhe bëri katër vjet burg për abuzime me ndihmat italiane; Vilson Ahmeti bëri dy vjet burg i dënuar për skandalin “Arsidi”.

27 vjet, rekord në detyrë

Kryeministri më jetëgjatë në detyrë është Mehmet Shehu. Më 27 vjet në detyrë Shehu është rekordmeni në historinë e shtetit shqiptar, por edhe në botë. Një rekord që pak gjasa ka që të thyhet. Pas Shehut, kryeministri i dytë më jetëgjatë është Enver Hoxha me 10 vjet, Adil Çarçani me nëntë vjet dhe Sali Berisha me tetë vjet.

Një ditë kryeministër

Kryeministri me jetëshkrurtër në detyrë është Qazim Koculi. Ai qëndroi kryeministër një ditë, ose më saktë 12 orë, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Pas tij vjen Hasan Prishtina me pesëditë kryeministër, Idhomeno Kosturi me 12 ditë.

27 vjeç kryeministër

Ahmet Zogu është kryeministri në detyrë në moshën më të re. Ai ishte 27 vjeç e 67 ditë kur mori detyrën në 2 dhjetor të vitit 1922.

81 vjeç kryeministër

Turhan Pashë Përmeti ishte 81 vjeç kur e la detyrën në janar të vitit 1920, duke mbajtur edhe rekordin e kryeministrit shqiptar në moshën më të madhe në detyrë. Pas tij është Pandeli Evangjeli i cili ishte 76 vjeç kur la detyrën e kryeministrit në vitin 1935.

Dy metër kryeministër

Edi Rama është kryeministri më i gjatë në historinë e kryeministrave të shtetit shqiptar.

 

 

Exit mobile version