Profesori i Hartografisë dhe Gjeoinformatikës, Edon Maliqi, ka bërë së fundmi një status në rrjetin social Facebook, ku kësaj radhe shtjelluar funksionon e menaxhimit të katastrofave natyrore.
Ky shpjegim është bërë me rastin e përmbytjeve të fundit në disa komuna të Kosovës, të shkaktuara nga të reshurat e mëdha.
Ky është statusi i tij i plotë (pa ndërhyrje):
“Fatkeqësitë që janë rezultat i përmbytjeve dhe vërshimeve, çdo vit krijojnë dëme të konsiderueshme në prona dhe zhvendosin dhjetëra mijëra njërëz nga shtëpitë e tyre, duke shkatërruar pasurinë/pronat e tyre. Nga fatkeqësitë natyrore më së shumti janë të rrezikuara sidomos vendet në zhvillim. Për të përmirësuar menaxhimin e katastrofave të ndryshme natyrore, aktualisht janë të angazhuara të gjitha vendet e botës. Prandaj, si një element i rëndësishëm për zhvillimin të qëndrueshëm ekonomik dhe për një jetë më cilësore, qeveritë, organizatat e ndryshme ndërkombëtare dhe institucionet e tjera që merren me kërkime shkencore, në agjendën e tyre kanë vendosur formimin e një shoqërie rezistente ndaj rreziqeve shkatërruese. Në këtë aspekt, roli i teknologjive gjeohapësinore dhe përdorimi i tyre në menaxhimin e katastrofave natyrore është thelbësor. Përdorimi dhe shkëmbimi i informacionit gjeohapësinor për të menaxhuar situatat e katastrofave në nivel kombëtar, lehtësohet kur ka mirë të strukturuar, harmonizuar dhe të organizuar Infrastrukturën Kombëtare e të Dhënave Hapësinore (IKDhH). Në funksion të kësaj, zhvillimi i sistemeve të paralajmërimit të hershëm por edhe në kohë reale duhet të jetë pjesë e një qeverisjeje të mirë, që shteti të jetë i gatshëm të përgjigjet në mënyrë efikase në çdo situatë emergjente.
Aktualisht, vendi ynë përballet me sfidën e katastrofave natyrore siç janë vërshimet dhe përmbytjet e ditëve të fundit. Prandaj, një studim që duhet të bëhet në këtë aspekt, është të mësuarit nga vërshimet dhe përmbytjet e fundit. Ky studim do të duhej trajtuar rëndësinë e informacionit gjeohapësinor para dhe gjatë katastrofave natyrore, e po ashtu edhe roli i tij në menaxhimin e një reagimi urgjent dhe të kalohet përnjëherë në veprim, që të krijohen produktet e caktuara për të pasur paralajmërim të hershëm, por edhe qasje efikase për të menaxhuar katastrofat e ndryshme natyrore”, ka shkruar Edon Maliqi. /Telegrafi/