Site icon Telegrafi

Gjenitë e krimit: Tri vjedhjet e shekullit – pa derdhur asnjë pikë gjak! (Foto)

Mendje të mprehta apo maskarenj të përsosur? Tre emigrantë italianë prapa “goditjeve të shekullit”. Të kryera pa derdhur asnjë pikë gjak

Çfarë kanë të përbashkët grabitja, mashtrimi dhe vjedhja e shekullit? Përveç shekullit, i njëzeti, edhe një bashkëtingëllore: P. Shpjegojmë më mirë: mbiemrat e njerëzve që kanë kryer këto tre bëma kriminale që kanë hyrë në histori të trija me gërmën P. Sipas radhës: Anthony Pino, Charlez Ponzi, Vincenzo Peruggia. Por afritë nuk përfundojnë këtu. Në venat e të treve rridhte gjak italian dhe të tre i kishin ndjekur ëndrrat respektive të lavdisë jashtë nga vendi i origjinës.

Emigrantë

Anthony Pino, kapobanda në grabitjen legjendare të Brink’s Bank në Boston, kishte lindur në Siçili në vitin 1907, por kur ishte ende në djep ishte larguar bashkë me familjen për në SHBA.

Charles Ponzi, nga Roma kishte mbërritur edhe ai në Boston mëngjesin e 15 nëntorit 1903: pak më shumë se 20-vjeçar, gjatë rrugës kishte luajtur 2 dollarë e gjysmë me të cilët ishte nisur. Do t’i fitonte më vonë, kur hyri dhe u bë i pari në klasifikimin e mashtruesve në Amerikë.

Vincenzo Peruggia kishte zgjedhur Francën për të kërkuar fatin: kishte lindur në Dumenza, në Varesotto në vitin 1881, por i famshëm u bë në Paris si hajduti që vodhi Mona Lizën. Pra, keqbërës, por me një marsh më shumë.

Skema Ponzi

Për Charlez Ponzin, në SHBA flitet në mënyrë periodike. Herën e fundit në 11 shtator 2008, kur Bernard Madoff, ish-president i Nasdaq dhe njeriu më i njohur në bursën e SHBA, u arrestua me akuzën se kishte zbatuar “skemën Ponzi” për të realizuar një mashtrim me përmasa gjigante.

Një prej mashtrimeve më të famshme është skema piramidale që doli në skenë në vitin 1920 nga Charles Ponzi, i cili i dha skemës emrin e gjyshit të tij “mashtrimi Ponzi”. Ponzi mblodhi miliona dollarë nga amerikanët, të cilët u gënjyen nga premtimi i tij për të dyfishuar paratë në 90 ditë, duke tregtuar kupona të rremë postarë.

Mbi 40 mijë njerëz investuan rreth 15 milionë dollarë në total, rreth 150 milionë dollarë me vlerën e sotme. Investitorët e parë i morën paratë e tyre, ndërsa të tjerët mbetën pa gjë. Ponzi përfundoi në burg dhe investitorët e mashtruar morën vetëm rreth një të tretën e lekëve të tyre.

Ai u dënua për mashtrim postar dhe doli nga burgu vetëm në 1934: jashtë e priste një dekret dëbimi nga SHBA. Do të vdiste pa asnjë lek në xhep në Rio de Janeiro 15 vjet më vonë.

I përjetshëm

Nga “goditja pa gjakderdhje” e Anthony Pino u frymëzua në vitin 1978 regjisori Uilliam Friedkin, i cili xhiroi filmin The Brink’s Job. Në fakt, Anthony Pino, në dallim nga Peruggia dhe Ponzi, ishte një profesionist i krimit.

Në vitin 1944, rekrutoi nëntë vetë me një objektiv ambicioz: Brink’s Bank, institucioni më i sigurt i Amerikës, të paktën deri në mbrëmjen e 17 janarit 1950.

Operacionin e koordinoi pikërisht Pino: i veshi anëtarët e bandës me veshje të marinës ushtarake, kapele shoferësh dhe maska gome. Kur sulmuan zyrat duheshin dhe pak minuta të vinte ora e mbylljes: ishte një punë e pastër, pa asnjë të shtënë. Bastisja zgjati disa minuta, pasi u neutralizuan roja dhe punonjësit.

Policisë, e cila u njoftua pas faktit të kryer nga një prej pengjeve, nuk i mbetej veç të numëronte dëmet. Për të zbuluar çfarë kishin vjedhur nuk mjaftoi e gjithë nata, dhe në fund rezultati ishte mbresëlënës. Nga kasafortat ishin zhdukur 1 milion e 218 mijë dollarë, në kartëmonedha, obligacione dhe çertifikata të depozitave të ndryshme.

Përveç zerove të shumës, hetuesve nuk u mbeti në dorë asgjë veç një përshkrimi të përgjithshëm të grabitësve të maskuar dhe ndonjë gjurmë e lënë në skenën e krimit. Nuk kish asnjë dyshim që bëhej fjalë për një bandë të organizuar: një pistë që çoi drejt e tek Pino, i njohur si një prej organizatorëve më të zotë të grabitjeve në banka. Por me një alibi të hekurt.

Për një kthesë të vërtetë të hetimeve u desh të kalonin gjashtë vite, pas të cilëve FBI arriti rrëfimin vendimtar të një anëtari të bandës, i cili tregoi të gjithë emrat si dhe zbuloi planin e orkestruar nga Pino. Çështja u mbyll me arrestimin e të gjithë bandës. Por llogaritë nuk dolën asnjëherë: u gjetën në fakt vetëm 58 mijë dollarë.

Hajduti patriot

Ishte Vincenzo Peruggia që në 22 gusht 1911, që vodhi Xhokondën e Leonardos nga muzeu i Luvrit, përcjell TO.

Profesioni i piktorit e kish bërë që të punonte në muzeun më të rëndësishëm. Një ditë – do të deklaronte më vonë – i kish ndodhur të shfletonte një libër ku shihej “fasada e Louvre me një yll sipër, dhe poshtë një seri karrocash të tërhequra nga buaj dhe ku thuhej që ishin piktura e statuja që vinin nga Italia dhe që ishin të gjitha sende të marra nga Napoleoni”. Ishte një blic: donte të sillte në atdhe një nga ato piktura. Zgjodhi Xhokondën pothuajse rastësisht, pa e ditur që Leonardo, atë pikturë e kish marrë me vete kur ishte transferuar në Francë dhe ia kish dhënë spontanisht Mbretit Francesco I, si falënderim për mikpritjen në një prej kështjellave të tij.

Vjedhja e pikturës ishte si një lojë fëmijësh: duke përfituar nga mbikëqyrja e mangët të hënën në mëngjes hyri në Louvre dhe mbërriti në sallonin Carre, përballë Mona Lizës. E shkëputi pikturën nga muri dhe nisi ta shkëpusë nga korniza dhe xhami që e mbronte. Në fund e futi poshtë krahut, të mbështjellë me xhaketë, dhe shkoi në shtëpi. E lehtë si të pish një gotë ujë. Surete u mobilizua dhe mori në pyetje gjysmën e Parisit. Policët shkuan edhe në shtëpinë e Peruggias, që u mor në pyetje si ish punëtor i muzeut, por nuk gjetën asgjë. Mëkat që pikërisht aty ai mbante arkën e drunjtë ku ndodhej Xhokonda.

Hetimet nuk sollën asgjë, kaluan muajt dhe askush nuk e kish idenë se ku ndodhej Xhokonda. Vetëm në 1913 Peruggia vendosi ta heqë qafe duke e ofruar për një shifër modeste tek koleksionisti fiorentin Alfredo Geri, emrin e të cilit e kishte lexuar tek Corriere della Sera.

Me të njëjtën lehtësi me të cilën e vodhi, Peruggia u kthye në Itali dhe ia dha Gerit, i cili e denoncoi në çast, me shpresën e një shpërblimi të majmë. Por Franca, bashkë me nderimet e mëdha, i dha vetëm 25 franga.

Leonardo da Vinci, një nga piktorët më të mëdhenj të Rilindjes italiane, e kishte realizuar pikturën në vitin 1504. Mona Lisa është portret i gruas së fiorentinasit të pasur Francesco del Gioconda. E njohur edhe si La Gioconda, piktura tregon një grua, portret, me një shprehje enigmatike të fytyrës që është edhe e ftohtë edhe tërheqëse.

Exit mobile version