Telegrafi

Gjeni telefonin tuaj të humbur me Android Device Manager

Nëse ju ndodh shpesh që telefonin tuaj ta humbisni në mes jastëkut të shtratit, apo ta harroni atë ne restorant, Android së shpejti do ta ofrojë një zgjidhje për këtë problem.

Të premten, Google e ka paralajmëruar lëshimin e shërbimit dhe aplikacionit të cilin e ka quajtur Android Device Manager, i cili është i dizajnuar që t’i mbulojë lëshimet e sigurisë, pa pasur nevojë që të instaloni paketa të ndryshme të sigurisë apo aplikacione tjera që ju premtojnë këtë shërbim.

Android Device Manager do të punojë në çdo pajisje e cila bazohet në Android 2.2 ose versionet më të reja të sistemit operativ, ndërsa për ta përdorur shërbimin ju duhet të qaseni në llogarinë tuaj të Google.

Dhe në rast se ju e humbni telefonin tuaj mobil, Android Device Manager do të ju ofrojë tri funksione të thjeshta: përmes aplikacionit mobil ose ndërfaqes së bazuar në ueb.

Ju mund ta lëshoni telefonin të cingërrojë në nivelin maksimal të zërit që ta gjeni më lehtë, ta ndiqni atë në Google Maps në kohë reale, apo në rastin më të keq të mundshëm, t’i fshini të gjitha të dhënat tuaja personale, nga largësia.

Pas lansimit në treg, Android Device Manager do të ofrohet për shkarkim pa pagesë, për të gjithë përdoruesit. / Telegrafi /