Si një këshilltare gjenetike e certifikuar në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, ajo e ndan kohën e saj mes këshillimit dhe mbështetjes së pacientëve e familjeve të tyre mbi trashëgiminë dhe pasojat e çrregullimeve gjenetike, dhe hulumtimit të gjenomit njerëzor për të identifikuar gjenet përgjegjëse për sindromet dhe gjendjet shëndetësore të trashëguara. Për dallim prej shumicës që veprojnë në këtë fushë, Aida e sheh veten në qendër të inovacionit kreativ, ku bashkohen shkenca e mjekësisë me artin, për të stimuluar mendjen duke kërkuar një imagjinatë të zhvilluar.
“Pse e merrem me këtë? Besoj fuqishëm se gjenetika është fusha e re e zbulimeve shkencore e sociale… e zbulimeve që gjithashtu do të influencojnë shumë edhe disiplinat tjera, siç janë antropologjia, mjekësia ligjore, etika dhe politika”, na rrëfen Aida kur patëm rastin ta pyesim për pasionet e saj.
“Besoj se gjenetika është një shkencë që mund të demonstrojë shumë mirë se çka ndodh në mungesë të planifikimit efikas dhe adekuat. Gjenet janë struktura që e formojnë trupin e njeriut. Nëse gabon në këto struktura apo nëse këto struktura janë të papërfunduara, do të rezultosh me një organ të papërfunduar saktësisht ose që ka probleme të funksionimit”.
Pra, a ka ndodhur kjo në Kosovë? Sikurse një trup me themele të papërfunduara, a është Kosova një shtet i ri e i pavarur që nuk është përfunduar plotësisht?
Sipas Aidës, krahasimi në mes të shtetit dhe të trupit të njeriut është një analogji e mirë. por e mangët.
“Në anën tjetër jam e vetëdijshme se aktualisht ka shumë probleme sociale, ekonomike e politike në Kosovë që burojnë nga planifikimi joadekuat dhe implementimi joefikas. Por, më duhet të them se me këso problemesh po sfidohen shumica e shteteve”.
Pika e ndryshimit mes Kosovës dhe trupit të njeriut është fakti se një shtet i pavarur e në ndërtim asnjëherë nuk përfundohet, pa marrë parasysh sa të fuqishme janë themelet. “Nuk jam e sigurt nëse ndonjë shtet ‘përfundohet plotësisht’ ndonjëherë. Besoj se të gjitha vendet bashkekzistojnë në një ambient të karakterizuar nga një varg procesesh dinamike që gjithmonë ndryshojnë, disa për më mirë e të tjera për më keq. Mënyra e vetme për të trajtuar pozitivisht sfidat e sotme është të jemi mendjehapur ndaj ideve të reja e të mësojmë nga njëri-tjetri. Nëse veprojmë kështu, jam e sigurt se do ta kuptojmë që një Kosovë e suksesshme nuk pasqyron një Kosovë të ‘përfunduar’, por një Kosovë që gjithmonë është ‘në ndërtim e sipër’, ku ne të gjithë i bashkojmë forcat për ta bërë një vend më të mirë për fëmijët tanë, e ku ata do ta bëjnë të njëjtën për fëmijët e tyre”.
Është pikërisht për shkak të kësaj nevoje për mendje të hapura dhe për ide të reja që Aida është e entuziazmuar të jetë folëse në edicionin e këtij viti të TEDxPirshtina.
“Jam tejet e ngazëllyer që Prishtina ofron një platformë të respektuar siç është TEDx. Është emocionuese të shohësh një audiencë kaq të gjerë mendjehapur ndaj horizonteve të reja shkencore e shoqërore, dhe shpresoj që me idetë dhe eksperiencën time si këshilltare gjenetike të rris vetëdijen e të zgjoj interes për këtë fushë, që besoj se do të shndërrohet në një komponent të rëndësishëm për të ardhmen tonë”. /Telegrafi/