Site icon Telegrafi

Gjenerata e gjashtë e Ford Fiesta (Foto)

Gjenerata e gjashtë e modelit më të shitur të Ford-it do të paraqitet në tregun evropian gjatë kësaj vere. Për herë të parë Fiesta do të jetë e pranishme edhe në versionin “cross”.

Në 40 vitet e kaluara, Fiesta konsiderohej njëra nga veturat e vogla më të popullarizuara në Evropë. Modeli i ri, i cili do të dalë në shitje këtë verë, do të ketë për detyrë që të përsërisë suksesin e pararendësve të tij.

Në ofertë do të jetë modeli me tre dhe pesë dyer, dhe me pesë pako të pajisjeve: Titanium, ST-Line sportiv, Vignale luksoz, Style dhe varianti “cross”, e cila do të shitet nën shenjën Active.

Në mesin e opsioneve të Fiesta së re do të jetë edhe tavani i madh në formë panorame, i cili këtij modeli i jep një dozë të nevojshme të luksit.

Ford është përpjekur që të avancojë edhe brendinë e automjetit, dhe tash enterieri është më i bukur dhe modern krahasuar me pararendësin.

Përveç përmirësimeve në planin estetik, është avancuar edhe kualiteti i materialit me të cilin është ndërtuar kabina e Fiestës së re.

Tabela komanduese është formësuar nga “zeroja”. Hapjet e ventilimit duken më elegante, si dhe konsolla qendrore.

Blerësit mund të zgjedhin ndërmjet disa versioneve benzinë dhe dizel.

Modeli bazë për motor përdor agregatin me tre cilindra 1.1 litra benzinë, të cilët mund të porositen në variantet me 70 kuaj fuqi dhe 85 kuaj fuqi.

Në ofertë është dhe motori me tre cilindra, 1.0 EcoBoost dhe atë në opsionet me 100, 125 dhe 140 kuaj fuqi. Fuqia do të bartet përmes ndërruesit të ri manual prej gjashtë shpejtësive ose opsionit të automatikut prej gjashtë shpejtësive.

Në fillim të vitit 2018, në shitje do të dalë edhe modeli sportiv Fiesta ST e pajisur me agregat prej tre cilindrash 1.5 EcoBoost. Ky motor prodhon 200 kuaj fuqi, ndërsa fuqia do të bartet me ndihmën e ndërruesit manual prej gjashtë shpejtësive.

Automobili është më i shpejtë në start në krahasim me pararendësin e tij dhe prej 0-100 kilometra në orë i nevojiten 6,7 sekonda.

Në dispozicion do të jetë edhe motori dizel 1.5 litra TDCi. Versioni bazë ofron 85 kuaj fuqi, ndërsa varianti më i fuqishëm posedon 120 kuaj fuqi.

Exit mobile version