Telegrafi

Gjenerallejtënant Rama në konferencën vjetore të Ushtrisë amerikane për Evropë

Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, nga data 19-21.06.2018 ka marrë pjesë në konferencën vjetore të organizuar nga Ushtria Amerikane për Evropë, që po mbahet në Garmish të Gjermanisë.

Qëllimi i mbajtjes së kësaj konference është thellimi i bashkëpunimit në Programin e Partneritetit Ndërshtetëror.

“Bashkëpunimi në mes të Kosovës, përkatësisht FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës (Iowa), është modeli më i mirë që tregon se si në një periudhë të shkurtër mund të arrihet progres në të gjitha nivelet e zhvillimit profesional të një force”, thuhet në njoftim.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama gjatë kësaj konference takoi shumë liderë dhe shefa të Mbrojtjes të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të vendeve Baltike dhe përfaqësues të EUCOM-it.

Rama dhe komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës gjeneral majori Timothy Orr, në forumin e Ballkanit Perëndimor, diskutuan edhe lidhur me mundësitë dhe planet për të ardhmen në kuadër të zgjerimit dhe thellimit të aktiviteteve, përfshirë qasjen rajonale, ndërtimin e aftësive dhe trajnimet e përbashkëta në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

Konferenca vjetore e organizuar nga Ushtria Amerikane për Evropë, pritet që sot t’i përfundojë punimet.  /Telegrafi/