Vepra e mirënjohur e Ismail Kadarese, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, realizuar në Teatrin Shqiptar nga Shkupi, është dramatizuar nga Jeton Neziraj, ndërsa dramatizimin skenik e ka bërë Zhelka Udoviçiq.
“Edhe kufomat e ushtrisë pushtuese nuk i tretë dheu ynë”,- është një nga batutat e shfaqjes “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që reflektohet edhe në dialogun e zhvilluar ndërmjet dy gjeneralëve, “Gjeneralit” (Bajrush Mjakut) dhe “Gjeneral Lajtnant” (Adem Karaga), të cilët në një moment pëshpëritin se “Eshtra kanë gjetur por të përzier me eshtra mushke! Po eshtrat e mushkës dallojnë nga ato të njeriut, sepse të gjithë njerëzit kanë numër të njëjtë eshtrash”.
“Jo Gjeneral, jo, nuk kanë numër të njëjtë, sepse unë kam më pak…sepse e kam një krah të prerë…” – është dialogu tjetër që zhvillohet ndërmjet gjeneralëve, që përcjell një mesazh tjetër përmes dialogut.
Salla e teatrit e stërmbushur me artdashës të artit skenik shqiptar dhe të gjuhës shqipe, artdashës të shumtë me prejardhje shqiptare, duke pasur parasysh se Bursa është një nga qendrat ku shqiptarët e shpërngulur nga trojet e të parëve janë përqendruar kryesisht në këtë qytet, kanë pasur një mundësi të rrallë të ndjekin një shfaqje të kompletuar në të gjitha aspektet, duke filluar nga skenografia tepër funksionale dhe në shërbim të plotë të konceptit regjisorial, trupës së aktorëve e sidomos të dy gjeneralëve Gjeneralit-Bajrush Mjakut dhe Gjeneral Lajtnant-Adem Karagës, të ndihmuar nga e gjithë trupa e aktorëve të tjerë si, Adrian Aziri, Xhevdet Jashari, Vebi Qerimi, Silvana Bajçinovci, e cila duke u rikthyer në skenë pas gati dy dekadave e zëvëndësoi Musherefe Llozanin, etj etj, me një gjuhë shqipe që tingëllonte pastër në skenë, që sipas prononcimeve të spektatorëve në sallë ishte shfaqje e perceptuar si një shfaqje e një formati tjetër, që tejkalon kornizat dhe konceptet jo vetëm shqiptare por edhe ballkanike, me shpërthimet e aktorëve në skenë, – si p.sh. gjeneralëve, Ardian Azirit, Vebi Qerimit, Silvana Bajçinovcit, Teuta Ajdini-Jegeni, Xhevdet Jasharit etj etj, skenat e dalluara që kanë lënë mbresa të paimagjinuara ndër spektatorët-kudo që është shfaqur kjo shfaqje, e që është përsëritur edhe në Bursa. Janë elemente dhe karakteristika të shumta që tregojnë e dëshmojnë që kjo shfaqje tejkalon shumëçka ballkanike.
Kjo shfaqje, pos përfshirjes së përgjithshme, sidomos zhvillimeve të ngjarjeve të përgjakshme në Ballkanin e trazuar të viteve të ’90-ta, të luftërave dhe masakrave të shumta nga forcat ushtarake dhe paramilitare vrastare serbe etj, që edhe sot e kësaj dite familjarët janë në kërkim të eshtrave të pjesëtarëve të tyre dhe nuk ia dalin dot.
”Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë dramatizuar nga Jeton Neziraj, vënë në skenë nga Dino Mustafiqi, me skenografi të Dragutin Broz, kostumet e Bllagoja Micevskit, koreografi të Gjergj Prevazit, dramatizim për skenë nga Zhelka Udoviçiq dhe Jeton Neziraj dhe muzikën e përshtatur nga Nexhat Mujovi-Virusi.
Trupa e Teatrit Shqiptar nga Shkupi, që realizoi “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” duke ua besuar rolet-personazhet aktorëve: Gjenerali – Bajrush Mjaku, Prifti – Xhevdet Jashari, Gjeneral Lejtnanti – Adem Karaga, Specialisti – Besfort Idrizi, Beti – Amernis Nokshiqi – Jovanovska, Kontesha – Teuta Ajdini-Jegeni, Mullisi – Vebi Qerimi, Nica – Silvana Bajçinovci, Kristina – Merlinda Saiti, Prostituta – Aida Alidemi, Ushtari i ri – Genci Mirzo, Ushtari II – Sabajdin Selmani, Varrtari I – Adrian Aziri, Varrtari II – Hajrullah Ramizi, Varrtari III – Visar Etemi, Varrtari që vdes – Blerim Dardhishta, Zarije Jonuzi, Drita Aliu dhe Emine Kadriu.
Vlen të theksohet se në këtë Festival, pos Teatrit Shqiptar nga Shkupi, pjesëmarrës janë edhe: Teatri Turk nga Shkupi me “Zonjusha Zhuli” e August Strinbergut, Teatri Kombëtar i qytetit të Bursës,( me disa shfaqje), Teatri “Marin Drzhiq” nga Dubrovniku me shfaqen e Dostojevskit “Vllezërit Karamazovi” në regji të Dejan Projkovskit, Teatri nga Beogradi, Teatri i Qytetit Eskishehir-Turqi, Teatri klasik nga Aradi-Rumani, Teatri i Qytetit të Bursa-së Turqi, “Arena Teatër” nga Athina-Greqi, Teatri “Erzurum”-Turqi, Teatri i kukullave nga Varna e Bullgarisë, Teatri i Qytetit “Metropoliten nga Stambolli, Teatri Kombëtar i Beogradit, Teatri i Prishtinës “Dodona”, Teatri i Qytetit Dijarbekir-Turqi, dhe Teatri i Qytetit “Metropolitan” nga komuna Kocaeli. /INA/