Gjeneral majori Ben Corell, i cili zëvendësoi gjeneral majorin Tim Orr në cilësinë e agjutantit të përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Iowa-s, është duke zhvilluar vizitën e tij të parë në Kosovë.
Siç njofton Ambasada e SHBA në Prishtinë, gjatë vizitës së tij të parë në Kosovë, që kur u emërua agjutant i përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Iowa-s (Ajovës), gjeneral majori Ben Corell, tha se është i nderuar që përfaqëson Gardën Kombëtare të Iowa-s këtu në Kosovë.
“Ne do të vazhdojmë të jemi të angazhuar dhe mbështesim Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ambasadën e ShBA-së”, citohet të ketë thënë gjeneral majori Ben Corell.
Që nga viti 2011, Garda Kombëtare e Iowa-s ka qenë partner shtetëror i Kosovës duke ofruar mbështetje për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ajo që e bëri këtë partneritet shtetëror unik, është se Iowa ka një qasje gjithëpërfshirëse shoqërore duke përfshirë të gjitha nivelet e qeverisë, arsimit, atletikës, biznesit privat, energjisë dhe bujqësisë. /Telegrafi/