Telegrafi

Gjendje e vështirë në rrugët e Prishtinës, qytetarët ankohen për mospastrimin e borës (Video)

Reshjet e borës, problem u kanë sjell edhe qytetarëve në kryeqytet. Rrugët sidomos nëpër lagje, kanë sjell vështirësi për qytetarët. Ndërsa, kryetari i komunës, Shpend Ahmeti, thotë se situata stabilizohet kur të ndalen të reshurat.                                      

Reshjet e dendura të borës, të cilat kanë rënë, ka bërë që rrugët e kryeqytetit të jenë në gjendje të vështirë.

Në gjendje më të mirë ishin vetëm rrugët kryesore, mirëpo jo edhe ato nëpër lagjet e Prishtinës. Nëpër këto lagje, qytetarët me vështirësi po lëvizin.  Ata shprehen të frustuar me këtë gjendje. Skënder Rexhepi, nuk është aspak i kënaqur me pastrimin e rrugëve nga bora. Thotë se gjysmë ore ka vonuar të dal në qytet, ndonëse shtëpinë ka fare pranë.

“Shyqyr që nuk rrëzohem dika se askush nuk më paguan nëse i thyej eshtrat. Po e kam shumë të vështirë qarkullimin, nga “4 Llullat” ku e kam shtëpinë deri në shesh po i bëj gjysmë ore”, shprehet qytetari  Skender Rexhepi.

Ndërsa i riu Besar Gërgi, thotë se qarkullimi për këmbësorë është i vështirë.

“Rrugët nuk janë fort të pastruara. Për automjete disi janë pastruar, por këmbësorët po e kanë vështirë”, tha Besar Gërgi.

Të pakënaqur më pastrimin e borës nëpër rrugë shprehen edhe vozitësit. Ali Sylejmani vozitës i njërit nga autobusët lokal të Prishtinës, thotë se rrugët nuk po pastrohen.

“E kanë pastruar natën njëherë dhe më nuk kanë reaguar… Rrugë është mfat e vështirë”, tha drejtuesi i autobusit.

Vozitësi Dan Halabaku thotë se më këto rrugë, aksidentet nuk duhet të jenë surprizë.

“Rrugët janë të pa pastruara. Është shumë keq. Krejt normale për aksidente”, tha Dan Halabaku.

Megjithatë, ka prej atyre që e mirëkuptojnë këtë situatë. Sipas tyre këto janë të natyrshme në këtë stinë.

“Nuk është keq, mirë janë rrugët. Dimër është. Dimri e bën të vetën”, thotë vozitësi Ali Govori.

Ndërkaq i pari i Prishtinës Shpend Ahmeti përmes një postimi në Facebook, thotë se kompanitë e kontraktuara janë vazhdimisht duke intervenuar për pastrimin e rrugëve. Apelon që qarkullimi nëpër rrugë të jetë i kufizuar për shkak të mos ndërprerjes të reshurave të borës. Shton se stabilizimi i kësaj gjendje do të bëhet posa të pushojnë të reshurat./RTV Dukagjini/Telegrafi/