Site icon Telegrafi

Gjendje e rënduar nga zjarret pyjore në Parkun Kombëtar “Sharri”, kërkohet ndihma e KFOR-it

Shuarja e zjarrit dhe parandalimi i përhapjes së tij deri me tani ka qenë i pamundur në zonën e Prevallës ka njoftuar Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës. Sipas kësaj agjencie, gjendja është e rënduar në Parkun Kombëtar “Sharri” si pasojë e zjarreve pyjore, dhe është kërkuar ndihma e KFOR-it.

Në njoftimin e AMMK-së thuhet se zjarri po vazhdon të përhapet në drejtim të fshatit turistik të Prevallës.

“Shuarja e zjarrit dhe parandalimi i përhapjes së tij deri më tani ka qenë i pamundur për shkak të konfiguracionit të terrenit, erërave të forta dhe pamundësisë së intervenimit të zjarrfikësve me automjete përkatëse për shuarjen e zjarreve. Si pasojë zjarri po vazhdon të përhapet edhe më tutje në drejtim të fshatit turistik të Prevallës dhe tashmë ka përfshirë edhe zonën strikte të natyrës “Maja e Arnenit””, thuhet në njoftim.

Aty sqarohet se gjatë ditës, drejtori i DAPK “Sharri”, Bajram Kafexholli, ka realizuar një takim edhe me përfaqësuesit e KFOR-it nga të cilët tash e disa ditë është kërkuar intervenimi me helikopter për shuarjen e zjarrit, raporton Telegrafi.

“Përfaqësuesit e KFOR-it, kanë thënë që janë duke monitoruar gjendjen dhe duke analizuar mundësitë e intervenimit”, thuhet në njoftim.

Në të njëjtën kohë është bërë e ditur se të hënën ka vazhduar monitorimi i zjarreve ne zonën e Oshlakut dhe Prevallës në territorin e Parkut Kombëtarë “Sharri”, dhe se bashkë me stafin e DAPK “Sharri”, në monitorimin dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit, janë angazhuar edhe mbi 20 zjarrfikës nga brigada e zjarrfikësve të Prizrenit, një ekip i Policisë së Kosovës nga stacioni i Prizrenit, dhe disa vullnetarë.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe pjesëtarët e FSK-së për të bërë vlerësimin e situatës për ndërmarrjen e masave për shuarjen e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij”, thuhet në njoftim.

Ka disa ditë që zjarret kanë përfshirë këtë zonë dhe Komuna e Prizrenit të dielën ka njoftuar se është formuar Shtabi Emergjent për shuarjen e tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version