Qytetarja Besa Shahini, sipas mediave dhe rrjeteve sociale, me emrin e saj ka deklaruar se mbi 10 mijë maturantë i paskan dhënë përgjigje të saktë pyetjes se çfarë do të bënte Turi po qe se shihte një shkëmb përpara varkës së tij!
Çka sipas saj tregon se pyetja ka qenë hartuar saktë!
Nuk dua të zgjatem për të rithënë se kjo pyetje, sado krejtësisht absurde dhe me përgjigje logjikisht krejtësisht të pagjetur, nuk ishte as më absurdja dhe as më e palogjikshmja, të paktën ndër nja njëzet a tridhjetë të tjera të cilat do të vazhdoj t’i analizoj në ditët që vijnë.
Me këto pyetje tani qesh e qan i gjithë qyteti, i gjithë vendi, e gjithë bota !
Ndërkaq, ministrja e Arsimit këmbëngul si mushka se testi paska qenë në rregull. Ta lë testin të merrem me deklarimin e fundit që është edhe më absurde sesa vetë testi.
Shihni si thotë: “Mbi dhjetë mijë maturantë i kanë dhënë përgjigje të saktë pyetjes për Turin në varkë!” Nuk e ka idenë fare se si raportohet me shifra. Mbi 10 mijë! Sa? 15, 17, 20, 30 mijë, sa? Sepse “mbi dhjetë mijë” e bën vargun e numrave të pafund në shkallë ngjitëse!
Megjithatë ne e dimë se sipas shifrave zyrtare kanë qenë 31.017 maturantë sivjet. Nuk po e pyesim deklaruesen se për çfarë arsye maturantët që para ndofta një dekade kanë qenë të 40 mijët, a pak më tepër, tani janë reduktuar me 25 për qind të numrit të tyre të dikurshëm. Me siguri do të na thotë fjali ideologjike e propagandistike. Ne e pyesim se përse na keni rrudhur rininë e kombit? Pse?
Qëndrojmë te Turi i saj. 10 mijë në 31 mijë, i bie afërsisht një në tre maturantë t’i jetë përgjigjur pyetjes në fjalë, ashtu sikurse e kërkonte Ministria. Dhe, me këtë krenohet? Statistikisht, me propabilitet, po të hiqej një alternativë që ishte fare çmendanike, për të tjerat sikur kuturu diku të vihej rrethi i përgjigjes të saktë, siç hidhet kok’apil leku në baste, me shpërndarje rastësore, kaq, nja 10 mijë pak a shumë do t’i binte që të rrumbullakosnin përgjigjen budallaqe që kërkonte Ministria.
Dhe, pa ditur as këtë, nxjerrin sytë me dorën e tyre.
Shihni, shihni, si kriter të saktësisë të një përgjigjeje Ministria merr numrin e nxënësve që i përgjigjen asaj në një mënyrë të caktuar. Qoftë edhe ku japin një përgjigje të palegjitimuar logjikisht. Meqë 10 mijë e paskan përzgjedhur atë përgjigje, ajo paskësh qenë e saktë!
A ka më ku të shkojë injoranca e këtyre në epistemologji, filozofi, teori shkence? Kriteri i vërtetësisë të përgjigjes dhe i saktësisë të një pyetjeje qenka numri i madh ose i vogël i atyre që përgjigjen njësoj për atë pyetje!
Bergsoni, Popperi, Kuhni, Witgenstein, e një aradhe teoricienësh të shkencës do të kishin lëvizur nga varri, do të ishin ngritur fantazma duke thërritur: Lidheni!
Se po qe se është kjo logjika që ndan të vërtetën nga e gabuara, atëherë ata që e kanë quajtur atë përgjigje të gabuar, ose njësoj të vërtetë si edhe alternativat e tjera, kanë qenë nja 20 mijë pra dyfishi i atyre që kanë quajtur të saktë përgjigjen që Ministria ka quajtur të saktë.
E di qytetarja Besa Shahini se për nja dhjetë a pesëmbëdhjetë shekuj njerëzit i përgjigjeshin njësoj pyetjes: A rrotullohet Toka? Jo, ç’ne? – thoshin. Po qe se do të rrotullohej neve do të na merreshin mendtë!
Shihni pra se ku ka arritur degradimi, korrupsioni mendor, shkalafitja mendore e sistemit tonë arsimor parauniversitar dhe e dikasterit përkatës! Krenohen se nxënësit japin përgjigje të gabuara për arsye se ky gabim përkon me atë që Ministria e quan si të saktë. Kuptimi logjik i lëvdatës që ministrja i bën vetvetes është pikërisht kjo: Ka 10 mijë maturantë që kanë pranuar të quajnë të saktë përgjigjen e gabuar, por që Ministria e quan të saktë.
Sistemi arsimor ka arritur në kulmin e degradimit të vet. Jep pyetje të gabuara, quan të saktë një përgjigje që nuk është e saktë dhe vlerëson si të saktë gabimin e maturantit që përputhet me gabimin e saj!
Mesa duket Ministria e Arsimit nuk do t’i heq nga vlerësimi së paku nja 20 a 30 pyetje të testit të gjuhës shqipe dhe të letërsisë që janë absurde dhe me përgjigje alternative akoma më absurde, të gabuara ose jo ekskluzivisht të sakta.
Kjo do të thotë që do të penalizohen, u hiqen pikët, vlerësohen gabim me mijëra maturantë. Me mijëra maturantë pësojnë kështu pasojat e injorancës dhe të paaftësisë mendore tekstbërëse të dikasterit të arsimit!
Janë fyer dhe dëmtuar maturantët, prindërit e tyre, është dëmtuar shkolla shqiptare !
Këtej e tutje çdo lloj budallalliku mund të gjendet në tekste, në leksione, në shpjegime mësimi dhe askush nuk ka arsye të ngrejë zërin. Mund të thuhet se nga martesa e kërmillit me lopën lind një mushkë, se tigreshat i lindin të vegjlit duke ngrohur vezët për disa muaj, se Toka është qendra e sistemit tonë Diellor, se Shqipëria laget nga oqeani indian, se Ligji i Gravitetit rrjedh nga dashuria që kanë objektet për tokën amë, se uji kthehet në verë, se të vdekurit mund të ngjallen, dhe gjithçka tjetër, mjafton që për këtë të ketë vendosur Ministria e Arsimit e Shqipërisë !
E ritheksoj, absurditeti i pyetjes për Turin nuk është asgjë përpara idiotësisë të së paku nja njëzet a tridhjetë pyetjeve të tjera dhe e përgjigjeve që i kanë quajtur të sakta për to!
E gjitha kjo që po ndodh, pra degradimi i rëndë, sabotimi, qëndrimi shkombëtarizues ku ka hyrë arsimi parauniversitar shqiptar, mbërritën dialektikisht në pikë e fundit të tyre. Te idiotësia. Te mungesa e hapur e logjikës. Te çmenduria gnoseologjike që përmbledh ky test i bekuar.
Ky test i bekuar, që denoncuan ata maturantë të bekuar, që na bënë të zgjohemi, të shohim provën e asaj që kemi thënë, në formën e vet më të qelbur, më të ndotur, më të fëlliqur, si edhe më budallaqe!
Që nga sot, shkolla shqiptare ka hyrë në rrugën institucionale të budallallikut që vlerësohet me notën 10.
Mjerë ne!
Mjerë ju!
Mjerë Mjeda, Naimi, Fishta, Migjeni, dhe të gjithë heronjtë dhe dëshmorët e kulturës shqiptare se në dorë të kujt ka rënë arsimi shqiptar !
Mjerë Petro Nini.
Mjerë Veqilharxhi.
Mjerë motrat Qiriazi!
Faleminderit Edi Rama!
Historia do të flas në shekuj!