Autoritetet greke kanë shpallur sot gjendjen e jashtëzakonshme në ishullin Lesbos, i cili u godit nga një tërmet i fuqishëm, ku si pasojë një grua gjeti vdekjen, ndërsa mbi 800 persona u detyruan të shpërngulen nga shtëpitë e tyre.
Zyrtarët grekë thanë se tërmeti i djeshëm prej 6.2 ballë sipas Rihter dëmtoi rëndë ose shkatërroi shtëpi në 12 fshatra në jug të Lesbosit.
Banorët e moshuar janë vendosur te të afërmit e tyre, disa në hotele, ndërsa disa të tjerë në ndërtesa ushtarake.
Tërmeti është kriza e dytë me të cilën ishulli grek është ballafaquar në dy vitet e fundit, pasi paraprakisht qindra mijëra emigrantë dhe refugjatë arritën në ishull përmes anijeve nga brigjet e Turqisë në rrugën për në Evropë.