Site icon Telegrafi

Gjendja pas vërshimeve në Drenas, flet Ramiz Lladrovci: 15 familje janë evakuuar dhe strehuar në hotelet e qytetit

Reshjet e dendura të shiut dhe borës kanë krijuar vërshime të shumta edhe në komunën e Drenasit, ndërsa dëmet janë shumë të mëdha.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci në një prononcim për Telegrafin ka thënë se gjendja nga vërshimet në komunën e Drenasit është shqetësuese.

Lladrovci tha se është formuar Qendrën Operative Emergjente, përmes së cilës janë duke u koordinuar dhe po arrijnë të menaxhojnë situatën pas vërshimeve.

“Gjendja e vërshimeve në Komunën e Drenasit, sigurisht na ka shqetësuar. Menjëherë kam marrë masa duke formuar Qendrën Operative Emergjente, përmes së cilës ne po koordinohemi dhe po arrijmë të menaxhojmë situatën pas vërshimeve. Kemi mbajtur mbledhje të ekzekutivit dhe Qendrës Operative Emergjente, ku kemi diskutuar për situatën aktuale dhe si të tejkalojmë këtë gjendje më lehtë”, ka thënë ai.

Sipas tij, dëmet e shkaktuara nga vërshimet janë të mëdha, ndërsa tha se për këtë situatë ka marr mbështetje edhe nga kryeministri në detyrë, Adullah Hoti.

“Kam njoftuar kryeministrin, Avdullah Hoti, prej të cilit kam marrë mbështetje që këtë gjendje të tejkalojmë me lehtë. Ekipet emergjente, Shërbimi i zjarrfikësve, Stacioni Policor, QKMF, kompanitë private dhe publike, dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës, po bëjnë gjithçka që është brenda kapaciteteve të tyre për të minimizuar dëmet dhe për t’i dalë në ndihmë qytetarëve në këtë situatë të rënduar”, tha tutje Lladrovci.

Kryetari i Drenasit, theksoi se dëmet kryesisht janë shkaktuar në ekonomi familjare, biznese, kultura bujqësore dhe infrastrukturë.

“Në zonën e Drenasit, përkatësisht Shtrubullovë, Poklek dhe Cikatovë e Re, uji ka dalë nga shtrati i lumit ‘Drenica dhe Verbica’, ku janë shkaktuar vërshime të mëdha në këto vendbanime. Vlen të theksojmë se gjatë realizimit të projektit të një segmenti të lumit Verbica, projekt disa vjeçar i Ministrisë së Ambientit, nuk është zhvilluar një pjesë e këtij segmenti të lumit Verbica.

…Janë zhvilluar punime në një pjesë tjetër, ku edhe ka pas devijim, përkatësisht janë zhvendosur për 350 metra me tutje duke e lënë projektin pa e zhvilluar në mes të lumit dhe pikërisht nga aty ka uji nga shtrati dhe i ka përmbytur thuajse të gjitha shtëpitë e lagjeve të Shtrubulloves, Çikatoves së re dhe po ashtu Qendrën Tregtare në Drenas dhe lagjet  e tjera  poshtë hekurudhës e deri në Poklek të ri.

Traseja ku i kanë zhvilluar punimet ka qenë e mbyllur  e cila në këtë rast ka luajtur rolin e pendës. Në projektet të cilat i zhvillojnë ministritë, në këtë rast Ministria e Ambientit, komuna nuk ka të drejtë  të ndërhyjë”, tha ai.

Ndërsa, sa i përket dëmtimit të urës në Dobroshec, Lladrovci tha se nga Ministria e Mbrojtjes kanë konfirmimin se kërkesa e tyre për ndërtimin e një ure të përkohshme është pranuar dhe adresuar në Shtabin e Përgjithshëm.

“Së shpejti do të bëhet vlerësimi i vendit dhe situatës për montimin e saj”, sqaroi ai.

Tutje kryetari i Komunës së Drenasit u shpreh se si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, këto ditë ka pasur edhe telashe me furnizim me ujë të pijes dhe kjo për shkak se sipas KRU  ‘Prishtina ka rritje të turbullirës, nivel që e bënë të pamundur trajtimin e ujit për pije sipas standardeve.

Ai po ashtu tregoi se për shkak të vërshimeve, 15 familje janë evakuuar dhe janë strehuar në hotelet e qytetit, deri sa të tejkalohet kjo gjendje dhe të bëhet një zgjidhje.

“Ndërsa, kam formuar edhe komisione vlerësuese të cilat gjatë këtyre ditëve do t’i përgjigjen të gjitha kërkesave për vlerësim të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet. Ftojmë qytetarët për bashkëpunim dhe duke shpresuar që kjo gjendje të kaloj, i falënderoj për mirëkuptim dhe ne do i qëndrojmë pranë në këtë situatë të vështirë”, tha ndër të tjera Lladrovci. /Telegrafi/

Exit mobile version