Telegrafi

Gjendja epidemiologjike në Maqedoninë e Veriut është stabile

(Foto: ECA)

Gjendja epidemiologjike në vend është stabile. Për momentin, nuk ka nevojë për masa të reja shtesë kundër coronavirusit. Ka rritje të rasteve të reja, por Komisioni për Sëmundjet Infektive në mbledhjen e fundit ka konstatuar se sipas numrit të shtretërve të lira spitalore dhe numrit të vdekjeve jemi ende në zonën e gjelbër. Mbeten të vlefshme masat për mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse në transportin publik, objektet shëndetësore, farmacitë dhe ambientet për kujdesin e të rriturve dhe personave me aftësi të veçanta, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Kryetari i Komisionit për Sëmundje Infektive, Aleksandar Petliçkovski për “Sitel” tha se në këtë moment nuk kemi ndonjë presion të madh në sistemin shëndetësor.

“Edhe pse numri i rasteve me Covid-19 po rritet me shpejtësi, pak njerëz shkojnë në spital, ndërsa një përqindje akoma më e vogël e tyre kanë përkeqësim të gjendjes shëndetësore. Duke pasur parasysh se presioni në sistemin tonë shëndetësor nuk është serioz, nuk planifikojmë të shtrëngojmë masat”, tha Petliçkovski.

Ai theksoi se ndoshta për shkak të përqindjes serioze të imunitetit të fituar tashmë me vaksina dhe sëmundjeve të mëparshme, tabloja klinike e lidhur me këtë variant të ri të Covid-19 nuk është e rëndë dhe për rrjedhojë numri i rasteve të rënda, numri i vdekjeve është shumë i ulët.

Numri i rasteve aktive në Maqedoni është 4.136. Më shumë raste aktive ka në Shkup – 1965, ndërsa në Dojran nuk ka raste aktive me coronavirus./Telegrafi/