Telegrafi

Gjendja e vështirë e pensionistëve

“Mbase mosha e bënë të veten, po ashtu nuk kemi pension i cili kishte për të mbuluar kërkesat e pensionistëve, së paku për një jetë relativisht të mirë. Kërkohet ngrënia, pija, rrobat dhe medikamentet. Pensioni prej 80 euro nuk mjafton për të mbuluar kërkesat e një pensionisti”, tha Asllani për Zërin e Amerikës.

Qeveria e Kosovës në largim në fillim të muajit janar vendosi rritjen e pagave për kategoritë që paguhen nga buxheti i Kosovës, ndërsa kryeministri në largim Hashim Thaçi paralajmëroi rritje të pensioneve.
“Gjithashtu, me hyrjen në fuqi të ligjit për pensionet gjithçka do të jetë e rregulluar dhe rritja e pagave edhe për pensionistët do të hyjë në fuqi me hyrjen në fuqi të ligjit për pensionet”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Por, Asllani thotë se ligji i paralajmëruar nuk merr parasysh kërkesat e pensionistëve.“Ne kemi kërkuar që pensionet të startojnë me 40 për qind e mesatares të të ardhurave personale të vitit të kaluar dhe të përcillen me përqindjen e inflacionit. Këta nuk e kanë marr parasysh dhe është duke u përgatitur një skemë pensionale, e cila nuk mund të quhet ligj. Ne mendojmë që mas 11 vjetëve që u çliruam prej Serbisë, Kosova ka resurse për me pas jetë më të mirë pensionistët dhe të tjerët. Asllani thotë se një numër i konsiderueshëm i pensionistëve vështirë se mund të presë ndonjë ndryshim pozitiv. “Shumica e pensionistëve thonë se ‘nuk kemi jetë të gjatë për me prit një pension meritor’ dhe shprehin një dëshirë për të dal në rrugë në moshën që e kanë. Nuk janë në gjendje për të dal në rrugë dhe për të bërë protesta, megjithatë, e shprehin dëshirën me dal për të kërkuar të gjitha kërkesat tona”.

Kosova kishte një fond pensionesh, i cili është tërhequr nga administrata serbe në përfundim të luftës në Kosovë. Asllani thotë se kjo çështje duhet të jetë pjesë e bisedimeve të paralajmëruara me Serbinë. “Nuk duhet të hyhet në bisedime me Serbinë pa na pranuar si shtet, pa kërkuar falje për gjenocidin që e ka bërë. Por, nëse hyhet ajo punë nuk është që unë e vendosi, patjetër duhet biseduar edhe për pensionet tona që na kanë mbetur në Serbi. Një prej çështjeve të cilat duhet biseduar duhet të jenë edhe pensionet”.

Askush nuk e di me saktësi numrin e pensionistëve, meqenëse vendi nuk ka pasur regjistrim të popullsisë për 30 vjet, por vlerësohet se në Kosovë ka mbi 120 mijë pensionistë, mbijetesa e të cilëve vështirë se mund të sigurohet me skemën aktuale të pensioneve. /Telegrafi/