Site icon Telegrafi

Gjendja e pacientëve nga Gjilani me coronavirus është stabile, njëri nga të infektuarit ende nuk dihet se nga e ka marrë virusin

Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli ka thënë se gjendja e personave që  kanë dal pozitiv me coronavirus (COVID-19), që vijnë nga komuna e Gjilanit, është stabile dhe se karantina po respektohet.

Ismajli tha në emisionin e mëngjesit “Zyra e Ankesave”, se sapo ka folur me ekipet mjekësore dhe se gjendja e pacientëve është stabile deri më tani.

“Kemi marrë informatën nga ekipet mjekësore, ku thuhet se gjendja e tre pacientëve është stabile. Njëri nga ta është duke u trajtuar në shtëpi. Dy të tjerë, një djalë dhe një vajzë janë duke u trajtuar në Klinikën Infektivë”, tha Ismajli.

Që nga momenti kur janë konfirmuar rastet e para në Gjilan, dy fshatra, Zhegra dhe Vrapqiqi janë vendosur në karantinë.

Nënkryetari i Gjilanit, ka thënë se qytetarët po e kuptojnë se duhet të qëndrojnë në karantinë edhe pse sipas tij ka procedura burokratike në nivel qendror që po i bëjnë telashe në lidhje me karantinën.

“Menjëherë pas marrjes së rastit kanë vendosur që këto dy fshatra të jenë në karantinë. Disa procedura burokratike në nivel qendror po na bojnë telashe për karantimin, por qytetarët e kanë kuptuar se duhet të jenë në karantinim. Unë bëj apel që të gjithë banorët të jenë në shtëpi dhe të mos bëjnë panik, duhet të rrinë brenda që ta evitojmë këtë rrezik”, tha nënkryetari i Gjilanit.

Ismajli tha se të infektuarit fillimisht kanë hezituar të japin të dhëna në lidhje me personat me të cilën kanë pasur kontakt, ndërsa deri më tani sipas tij në komunën e Gjilanit, janë rreth 80 persona që kanë bërë testin dhe kanë dal negativ.

“Tash nëse them se janë testu të gjithë ata e kanë pas kontakt unë nuk jam e sinqertë, por janë marrë listat dhe janë evidentu të gjithë. Ka qenë një hezitim i tyre për me bashkëpunua me shëndetësisë, mirëpo nga kontaktet e vazhdueshme është arrit me u siguru kjo listë. Rreth 80 persona janë testu, dhe fatmirësisht janë dal negativ. Është edhe qëndrim i Institutit që të mos bëhet testi nëse nuk kanë shenja të virusit, bëjmë apel të mos bëhet panik, mund të na thërrasin në numrat e telefonit”, tha ai.

I riu nga Gjilani i cili doli pozitiv me coronavirus (COVID-19), nuk dihet se nga e ka marrë virusin, ndërsa ende nuk dihet se me sa persona ka pasur kontakt ky person pasi e ka marrë virusin.

“Sipas të gjitha gjasave ka pas kontakt, sepse është person i ri në moshë dhe ecja e tij ka qenë më e madhe se e personave të tjerë, pasi familja ende nuk po beson që ka dal pozitiv dhe insiston që i riu të bëj prapë testin. Por, ende nuk po munden të identifikohet se nga kush e ka marrë virusin”, tha Ismajli.

Ndryshe, ministri i Shëndetësie, Arben Vitia, gjatë një konference të mbajtur javën e kaluar paralajmëroi se më shumë teste do të bëhen në vendin tonë.

Ai po ashtu tha se janë porositur me urgjencë edhe 7000 teste të tjera, të cilat janë planifikuar të vijnë në fillim të kësaj jave. /Telegrafi/

Exit mobile version