Kosova në vitet e pasluftës ka sjellë një varg politikash, strategjish dhe ligjesh me të cilat rregullohet çështja e respektimit, ruajtjes dhe përparimit të mjedisit jetësor dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Fatkeqësisht, në periudhën e deritashme i janë shkaktuar dëme të mëdha hapësirës së Kosovës edhe në zonat me vlerat më të larta, në shkallën më të lartë ligjore të mbrojtjes kombëtare dhe ndërkombëtare, siç është rasti i rezervatit të arnenit në Prevallë nga ndërtimet, atij të rrëqebullit në Rusenicë nga gurthyesit etj.
Sistemi jo adekuat i mbrojtjes dhe menaxhimit është shprehur dhe në vlerat e diversitetit biologjik të ekosistemeve, resurset pyjore, burimeve dhe rrjedhave të ujit, tokat pjellore etj. Situata me mbeturinat është pothuajse alarmante, për çka çdo kund janë prezente mbeturinat që paraqesin rrezik për mjedisin dhe shëndetin e njerëzve. Problemet e mëdha mjedisore janë të shprehura si rezultat i politikave joadekuate, si dhe organizimi jo i duhur i institucioneve përkatëse dhe shoqërisë gjë që vështirëson realizimin e suksesshëm dhe kualitativ të detyrave. Problemi qëndron në mosangazhimin e institucioneve dhe kuadrove profesionale, si në nivel qendror ashtu dhe në atë lokal. Problem i shprehur është moszbatimi i ligjeve dhe rregullativave, si dhe strategjive dhe planeve që janë miratuar. Problemi është dhe në nivelin e vetëdijes së qytetarëve, që duhet të jetë çështje gjithëpërfshirëse dhe sistematike e kultivimit në programet arsimore.
Duhet organizim më i mire në nivel shtetëror, shkallë më e lartë e ngritjes në të gjitha nivelet si dhe koordinimi dhe përkrahja, veçmas organeve lokale të pushtetit. Krahas Qeverisë edhe Kuvendi duhet të ketë aktivitet më të shprehur në kuptim të përkrahjes së zbatimit të ligjeve që i ka sponsoruar, përkatësisht miratuar. Rritja e vetëdijes dhe veprimit të qytetarëve në mbrojtjen e vlerave më të larta të natyrës dhe mjedisit do të ishte faktor i fuqishëm i zhvillimit të qëndrueshëm të Republikës së Kosovës në harmoni me vlerat ekologjike të saj. Shkalla e lartë e vetëdijesimit për mbrojtjen e natyrës dhe një zhvillimi të qëndrueshëm të Kosovës, mund të jetë jo vetëm element i rëndësishëm i njohjes në botë, por dhe themel i bashkëpunimit me shumë shtete dhe institucione ndërkombëtare. Shembull është rasti i grumbullimit të arinjve nga restorantet e ndryshme në një vend të veçantë të kufizuar, por adekuat sipas normave të Bashkimit Evropian. Për këtë rast kanë informuar shumë mjete të informimit elektronike dhe të shkruara në botë në mesin e të cilave dhe Washington Post.
Nismat dhe veprimet e deritashme nuk janë të mjaftueshme dhe të mira, për çka është e nevojshme raport i ri i individëve dhe të gjithë pjesëtarëve të shoqërisë ndaj natyrës dhe mjedisit. MMPH duhet të përpilojë masat për rivitalizimin e mjediseve të degraduara të niveleve të ndryshme, pastaj masat juridike, ligjore, organizative, profesionale, programore, shkencore, kulturore dhe në të gjitha aspektet tjera të mbrojtjes së natyrës dhe mjedisit jetësor në përgjithësi.
Vlerat e larta natyrore, mjedisore dhe të resurseve të Kosovës, begatia e lartë e biodiversitetit që për rëndësinë që kanë janë të njohura dhe jashtë kufijve të vendit duhet të valorizohen në mënyrën më të mirë të qëndrueshme. Këto vlera duhet të mbrohen prej faktorëve të shumtë të presionit, joplanifikimit, menaxhimit jo profesional si dhe aktiviteteve jo legale.
Duhet të kërkohet nga qeveria që urgjent të pasqyrojë shkaqet për shkak të cilave nuk realizohen ose shumë ngadalë planet, politikat dhe strategjitë që i ka sjellë vet për sektorët e caktuar të natyrës dhe mjedisit e veçmas mbi menaxhimin e mbeturinave dhe ujërave të zeza.
Gjendja e tanishme në këtë fushë seriozisht rrezikon mjedisin jetësor dhe shëndetin e njerëzve, prandaj është domosdoshmëri dhe urgjencë të ndërmerren masa për veprime efikase, ku gjendja në këto fusha shpejt dhe në themel të ndërrojë në të mire, të zbatohen ligjet përkatëse, ndërsa mbetjet të fitojnë tretmanin e lëndës e cila në pjesën më të madhe mund të shfrytëzohet për riciklim dhe përfitim të energjisë. Duke bërë favorizime për ata të ndërgjegjshmit dhe njëkohësisht duke përdorur politika ndëshkimi, duhet sjellë masa efikase në grumbullimin e selektuar dhe riciklimin e mbeturinave, pastrimin e ujërave të zeza, zgjidhjen e problemit të mbetjeve industriale dhe të rrezikshme duke përgatitur dhe koordinuar punën e organeve drejtuese lokale, duke ngritur kadastrën integrale të gjithë ndotësve në Kosovë si regjistër publik me të gjitha të dhënat e nevojshme.
Kur është fjala për planifikimin dhe menaxhimin e hapësirës ku janë shkaktuar shumë lëshime, kërkohet që të ndërpritet degradimi dhe joplanifikimi i mëtejmë i saj, shfrytëzimi jo racional, veçmas i tokës bujqësore, si dhe ndërtimet e paplanifikuara dhe jolegale. Në të gjitha planet hapësinore në të gjitha nivelet, si dhe në realizimin e tyre duhet bërë baraspeshën e strukturës hapësinore, sistemin urbanistik policentrik dhe raport të ri të mjedisit urbano-rural. Duhet të ndalet urgjent tjetërsimi, veçmas tokës punuese bujqësore dhe mjedisore me vlera të larta natyrore, zvogëlimin deri në ndërprerjen e zhvendosjeve nga fshatrat, me programe kualitative të zhvillimit të përgjithshëm rural dhe prodhimit të ushqimit ekologjik e të shëndetshëm. Duhet menaxhim i qëndrueshëm i pyjeve dhe resurseve pyjore që të mundësojnë plotësimin e nevojave ekonomike, ekologjike, kulturore dhe të tjera për gjeneratat e tashme dhe të ardhshme.
Energjia është kusht i zhvillimit në përgjithësi, ndërsa resurset energjetike në Kosovë, veçanërisht kur është fjala për burimet ripërtëritëse të energjisë së pastër, paraqet potencialin e saj të madh të pa shfrytëzuar, si një element shumë i rëndësishëm i zhvillimit të saj të qëndrueshëm. Në periudhën e ardhshme duhet të zhvillohen politika dhe vendime të tilla që janë në kuptim të valorizimit të resurseve, veçmas energjisë solare dhe biomasës, por dhe erës e hidro-energjisë. Republika e Kosovës duhet të bëjë shumë më tepër në avancimin e masave dhe qëllimeve për energji efikase për t’iu afruar standardeve evropiane, si dhe t’i kushtojë kujdes më të madh ndërtimit të objekteve ekologjike, të qëndrueshme.
Krijimi i taksës ekologjike dhe grumbullimi i saj, shpallja e një hapësire prej 23.469 ha në Sharr dhe 62.488 ha në Bjeshkët e Nemuna, miratimi i ligjit për ndalimin e duhanit në mjedise të mbyllura, veçmas zbatimi i këtij të fundit të paktën në këtë fillim, shihet si shpresë që institucionet dhe shoqëria jonë kanë filluar të vetëdijesohen sadopak për mbrojtjen e natyrës dhe mjedisit në përgjithësi.
(Autori është profesor i rregullt në Departamentin e Biologjisë pranë FSHMN-së dhe kryetar i Shoqatës së Ekologëve të Kosovës)