Telegrafi

Gjendja e fundit shëndetësore e Ziadin Selës

Ditën e enjte disa protesutes kanë hyrë dhunshëm në Kuvendin e Maqedonisë dhe kanë sulmuar disa deputetë shqiptarë dhe maqedonas.

Në mesin e atyre që ka pësuar lëndime është edhe lideri i Lëvizjes Reformatore të Partisë Demokratike Shqiptare, Ziadin Sela.

Ekipi i Telegrafi Maqedoni ka qenë në Spitalin Klinik në Tetovë për të marrë informacione rreth gjendjes shëndetësore të Ziadin Selës.

Me këtë rast pas një bisede me Destan Halitin, kryeshefin e repartit kirurgjik dhe neurokirurgjik, ka mësuar se gjendja e deputetit shqiptar të Parlamentit të Maqedonisë është stabile.

“Gjendja e pacientit Sela është stabile. Ai është duke u trajtuar në repartin neurologjik dhe neurokirurgjik në spital. Është në vetëdije dhe trajtohet vetem me terapi dhe nuk ka pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Do ta mbajmë në trajtim për disa ditë”, tha Destan Haliti.

Theksojmë se me votat e shumicës parlamentare, Talat Xhaferi është zgjedhur kryetar i Parlamentit të Maqedonisë./Telegrafi/