Telegrafi

​Gjendja me COVID-19 në Mitrovicë, 14 infektuar në vetizolim dhe një në Infektiv

Gjendja e përgjithshme me pandeminë në qytetin e Mitrovicës është stabile, ndërsa dy rastet e fundit të konfirmuara me COVID-19, gjatë 24 orëve të fundit, çojnë në 15 numrin e përgjithshëm të të infektuarve nga kjo komunë.

Erseka Barani, drejtoreshë e Shëndetësisë në Mitrovicë, ka bërë të ditur për KosovaPress, se përveç një rasti që po trajtohet në Klinikën Infektive në Prishtinë, të gjithë të infektuarit tjerë ndodhen në vetizolim dhe janë në gjendje shëndetësore stabile.

Sipas saj, zbutja e masave nga niveli qendror nuk nënkupton moskujdesin nga ana e qytetarëve. Ajo kërkoi respektim të rekomandimeve të institucioneve përkatëse.

“Gjendja e përgjithshme me COVID-19 në komunën e Mitrovicës është stabile. Me dy rastet e fundit që u paraqitën dje, në total kemi 15 raste aktive pozitiv me COVID-19, ndërsa kemi 19 të shëruar në komunën tonë… Gjendja e të gjithë të infektuarve është stabile, do të thotë janë asimptomatik, përveç njërit që ndodhet në klinikën infektive në QKUK, i cili ka pasur simptoma, por edhe gjendja e tij shëndetësore është stabile….Me lirimin e masave nga niveli qendror, edhe qytetarët janë relaksuar, mirëpo kjo nuk do të thotë se nuk duhet të kemi kujdes, sepse duhet t’i përmbahemi rekomandimeve nga institucionet gjegjëse”, ka thënë Barani.