Pjesëtarë të KFOR-it edhe EULEX-it janë parë pranë pikës kufitare në Jarinë rreth orës 18:00, në kohën kur serbët kanë paralajmëruar bllokimin e pikave kufitare me Kosovën .
Ata po e vëzhgojnë gjendjen në terren ndërkohë që është paralajmëruar bllokimi i kësaj pike, së bashku edhe me të gjitha pikat tjera kufitare nga serbët në pjesën e territorit të Serbisë.
Qarkullimi i automjeteve në pikën kufitare në Jarinë është duke u vazhduar pa probleme ndërkohë që pritet që serbët të bllokojnë këtë pikë kufitare nga pjesa e territorit të Serbisë.
Kryetari i së ashtuquajturit asociacion i qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës për Kosovë, Rasha Rojeviq, ka njoftuar se bllokada do të organizohet nga shoqatat vendase të qytetarëve nga Kosova.
“Bllokada do të fillojë në orën 18:00 dhe do të zgjasë derisa të tërhiqen forcat policore të Kosovës nga veriu i Kosovës. Gjithashtu kërkojmë që KFOR-i të merr kontrollin e veriut të Kosovës”, tha Rojeviq.
Sipas tij, bllokadat do të zgjasin derisa të plotësohen kërkesat e qytetarëve.
“Ne do të bllokojmë vendkalimet Bërnjak, Jarinje dhe Merdare nga ana e Serbisë qendrore, dhe kalimin Kulla në rrugën Pejë-Rozhaje nga ana e Malit të Zi. Vendkalimi Konçul nuk do të bllokohet tani për tani. Do të lejojmë vetëm automjete spitalore, si dhe të gjitha automjetet dhe pasagjerët e tjerë me dokumente serbe. Nëse dokumentet serbe nuk janë të vlefshme në Kosovë, atëherë dokumentet e Kosovës nuk mund të jenë të vlefshme as në Serbinë qendrore”, tha Rojeviq duke shtuar se do të jenë të paktën 400 persona në bllokadë në çdo vendkalim./KP