Shtetasi 86-vjeçar, Njazi Raki Ceka, i dënua me burgim të përjetshëm për vrasje është gjetur i vdekur në tualetin e dhomës së tij të burgut në Tiranë.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se nga të dhënat paraprake dyshohet se i moshuari ka kryer vetëvrasje.
Institucionet e prokurorisë dhe policisë gjyqësore janë duke kryer hetimet për të përcaktuar rrethanat e qarta të vdekjes së 86-vjeçarit.
“Shtetasi Njazi Raki Ceka, i burgosur me dënim të përjetshëm, ishte shtruar në Spitalin e Burgjeve me datë 01.06.2023, për probleme kardiake i ardhur nga IEVP Durrës, ku ishte i akomoduar në Seksionin e Kujdesit të Veçantë, për arsye të gjendjes së tij shëndetësore.
Stafi i Qendrës Spitalore, në momentin e konstatimit të ngjarjes nga ana e punonjësit të shërbimit, është përpjekur ti jap ndihmën e parë pacientit, por pa rezultat.
Pas konstatimit të faktit, janë njoftuar familja e të ndjerit si dhe organet hetimore.
Një ekip i DPB me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, është paraqitur në vend, për të vlerësuar situatën dhe veprimet e stafit, nga ora 07.00 e datës 12.06.2023”, njofton Drejtoria e Burgjeve. /Telegrafi/