Telegrafi

Gjendet i vdekur në një dhomë hoteli Kenneth Tsang, aktori që ka luajtur në mbi 220 filma

(Foto: Straits Times)

Kenneth Tsang, aktori që është shfaqur në më shumë se 220 filma dhe ka luajtur në një prej filmave për James Bondin, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare.

Ylli nga Hong Kongu ka luajtur në filma të shumtë duke përfshirë “Rush Hour 2” dhe “Die Another Day” për agjentin 007.

Tsang është gjetur i vdekur të mërkurën në një dhomë të hotelit Kowloon të Hong Kongut, ku ishte në karantinë. Pasi askush nga dhoma e tij nuk u përgjigj, stafi i hotelit e ka hapur derën për ta gjetur aktorin të palëvizshëm të shtrirë në dysheme pranë shtratit.

Ai u konstatua i vdekur në vend, ndërsa pritet autopsia për të përcaktuar shkakun e vdekjes së tij. Tsang kishte marrë tri doza të vaksinës kundër COVID-19 dhe nuk vuante nga ndonjë sëmundje serioze, kanë thënë burimet.

Aktori u vendos në karantinë hoteli si pasagjer, pasi kishte shkuar jashtë vendit, megjithëse kishte rezultuar negativ në testimin për coronavirus.

Gjatë karrierës 65-vjeçare, Tsang është shfaqur në më shumë se 220 filma, shumë shfaqje televizive dhe shpesh është paraqitur në reklama të ndryshme. /Telegrafi/