Polica e Kosovës në Ferizaj ka arritur të gjejë vajzën e raportuar nga familjarët e saj, gjatë vikendit, si të zhdukur.
Zëdhënësi i Policisë në Ferizaj, Agim Gashi ka treguar për KosovaPress se me datën 22.04.2018 një vajzë e mitur ishte raportuar si e zhdukur nga familjarët e saj.
Rasti është evidentuar edhe në raportin 24 orësh të Policisë.
Me të marrë lajmin njësitë patrulluese kanë dalë në qytet dhe e kanë gjetur vajzën në qendrën e qytetit të Ferizajt.
Gashi nuk ka dhënë detaje se ku saktësisht dhe në çfarë gjendje është gjetur vajza, mirëpo ka bërë të ditur se ajo ka deklaruar se ka dalë me dëshirën e saj nga shtëpia e prindërve.
“Është sjellur në stacionin policor, ku në prezencën e punëtorit nga qendra për punë sociale ka deklaruar se ka dalur vullnetarisht nga shtëpia dhe gjatë kësaj kohe ka qenë duke qëndruar nëpër qytetin e Ferizajt”, ka treguar ai.
“Pas përfundimit të deklaratës, e njëjta është marrë nga prindërit e saj dhe është kthyer në shtëpi”, ka thënë Gashi.