Shërbimi i Kërkim – Shpëtimi Malor të Kosovës, ka njoftuar se është gjetur turistja bullgare, e cila kishte humbur në shtegun e Via Ferrata-s në Deçan.
Në njoftim thuhet se SKShMK kishte pranuar një thirrje emergjente nga një shtetase bullgare në shtegun e Via Ferrata-s në Deçan, transmeton Telegrafi.
“Ajo kishte përfunduar shtegun e Via Ferratas, por gjatë kthimit në llogaritje jo të mirë të kohës kishte dalë nga shtegu dhe kishte humbur orientimin duke u ngujuar në një terren të vështirë në anën e djathtë të Grykës së Deçanit. Një ekip i ShKShMK i përbërë me anëtarë nga stacioni i Deçanit dhe Pejës menjëherë kanë identifikuar pozicionin e saj gjeografik dhe janë nisur për kërkimin e saj”. thuhet në njoftim.
Tutje, theksohet se të humburës i është dhënë ndihma e parë, pastaj është evakuuar deri tek pikënisja e shtegut të Via Ferrates.
“Operacioni zgjati rreth 6 orë dhe u mbyll në orën 24:00. Apelojmë të gjithë bjeshkatarët dhe vizitorët e maleve në RKS dhe rajon që të kenë kujdes në planifikimin e aktiviteteve të tyre dhe të posedojnë pajisje adekuate”, vijon njoftimi./Telegrafi/