Pas pesë ditësh kërkimi, sot në Studime të Ulët të Vushtrrisë, njësia e FSK-së për Kërkim- Shpëtim në Male, ka arritur të gjejë trupin e pa jetë të personit të zhdukur R.G. (61), i cili i është dorëzuar ekipit mjekësor që ka konstatuar vdekjen e tij.
Nga data 20 nëntor, me vendim të ministrit të FSK-së Rrustem Berisha dhe me urdhër të komandantit gjeneral Rrahman Rama, pas kërkesës së Policisë së Kosovës, 16 pjesëtarë dhe njësia e qenve K9 u angazhuan në operacionin e kërkimit për personin e zhdukur.
Operacioni i kërkimit është udhëhequr nga Kompania e Task-Forcës së Kërkim –Shpëtimit të FSK-së në bashkëpunim me Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Vushtrrisë, Policinë e Kosovës dhe banorë vullnetarë të fshatit Sudime me rrethinë.
Pas përfundimit të operacionit në Studime të Vushtrrisë, pjesëtarët e FSK janë kthyer në kazermë për të vazhduar me aktivitetet e njësisë.