Një film pa zë i vitit 1915 për Abraham Lincolnin mendohej se ishte humbur përgjithmonë, derisa u gjet në një depo në Long Island, New York.
Dan Martin, praktikant veror në Arkivin Historik të Filmit në Greenport, po kalonte nëpër kutitë me donacione në depo verën e kaluar, kur gjeti kopjen e vetme të njohur të The Heart of Lincoln, një film pa zë mbi jetën e presidentit Abraham Lincoln.
“Për dikë që studion ruajtjen e filmave, ky është ndoshta rezultati më i shpërblyer që mund të kesh kur kontrollon ato kanaçe të vjetra filmash”, tha Martin për NBC New York.
The Heart of Lincoln ishte listuar nga Biblioteka e Kongresit si një nga rreth 7000 filmat pa zë që mendohej se ishin humbur plotësisht me kalimin e kohës, shkruan upi.com.
Filmi u drejtua nga Francis Ford, i cili gjithashtu luajti në të. Vëllai i tij më i vogël, John Ford, më vonë fitoi katër çmime Oscar për regjisorin më të mirë. John Ford drejtoi filmin e vitit 1939 Young Mr. Lincoln, ku Henry Fonda interpretoi Abraham Lincolnin.
Joe Lauro, pronari i Arkivit Historik të Filmit, tha se zbulimi i filmit ishte një surprizë e madhe.
“Me filmat pa zë, ndoshta 70 për qind e tyre janë zhdukur. Është një copëz e pazëllit që tani është gjetur. Pazëlli i kinemasë së humbur amerikane”, tha ai.
The Heart of Lincoln tashmë është pastruar dhe digjitalizuar nga arkivisti i filmit, Eliot Kissileff. /Telegrafi/