Telegrafi

Gjendet në Egjipt marinari Shqiptar i “Çelepia 2”

Gjendet në Egjipt njëri prej marinarëve shqiptarë, 10 ditë pas marrjes peng të anijes “Çelepia 2”. Ministria e Punëve të Jashtme informoi sot se në kuadër të operacionit të shpëtimit të ekuipazhit të peshkarexhës “Çelepia 2”, mes personave të ndaluar në bordin e saj gjendet shtetasi shqiptar Luan Mema, gjendja shëndetësore e të cilit paraqitet e qëndrueshme.

“Menjëherë pas marrjes së informacionit për gjetjen dhe bllokimin e peshkarexhës nga Marina egjiptiane dhe transferimin e saj në një port ushtarak në Aleksandri, ambasada jonë në Egjipt kontaktoi me autoritetet lokale të sigurisë dhe hetimit, të cilat informuan se mes personave të ndaluar në bordin e peshkarexhës gjendet shtetasi shqiptar Luan Mema”, thuhet në njoftimin për shtyp të MPJ-së.

Ambasada shqiptare në Egjipt po kujdeset për t’i ofruar asistencën konsullore të nevojshme, si dhe në bashkëpunim me autoritetet egjiptiane, pas përfundimit të hetimit do të japë gjithë ndihmën e mundshme për kthimin e shtetasit Luan Mema në Shqipëri.

Ministria e Jashtme informon se autoritet egjiptiane janë duke punuar për gjetjen e vendndodhjes së shtetasit tjetër shqiptar, Dhimitër Malja, si dhe kryerjen e të gjitha procedurave hetimore për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Dhjetë ditë më parë, marinari egjiptian Adel Muhamed Sallam, mori peng një prej anijeve më të mira të flotës së peshkimit shqiptar, duke kërcënuar se nëse nuk i jepet një shumë e konsiderueshme parash, do të fundosë peshkarexhën së bashku me marinarët shqiptarë.

Ngjarja e rëndë është shënuar që në orën 14.30 të datës 18 qershor, kur anijes i është dhënë leja nga dispeceria e peshkimit për t’u larguar nga porti i Durrësit dhe për të gjuajtur brenda ujërave territoriale shqiptare.

Në bordin e anijes “Çelepia 2” ndodheshin kapiteni i anijes, Dhimitër Malja, 54 vjeç, dhe dy marinarët: Luan Mema, 36 vjeç, nga Durrësi, dhe shtetasi egjiptian Adel Muhamed Sallam i datëlindjes 18.06.1980, me nr. pasaporte A13033693.

Dy ditë më parë, anija u gjet në Egjipt, ndërsa dje, autoritetet egjiptiane arrestuan marinarin egjiptian. Adel M.Salam u arrestua në Aleksandri nga autoritetet egjiptiane pas kërkesës së Interpol Tiranës. /Telegrafi/