Telegrafi

Gjendet në Aleksandri anija “Çelepia 2”, ndalohen 3 egjiptianë, asnjë gjurmë e kapitenit Malja

Është gjetur nga autoritetet egjiptiane në Aleksandri anija e peshkimit ‘Çelepia 2’, e cila u mor peng bashkë me kapitenin Dhimitër Malja dhe marinarin shqiptar Luan Mema nga marinari egjiptian Adel M.Salam.

Por në anije ndodheshin 3 shtetas egjiptianë të tjerë jo pengmarrësi si dhe marinari Luan Mema, ndërsa nuk ka asnjë gjurmë të kapitenit Malja. Lajmi është konfirmuar nga djali i pronarit të anijes Florian Çelepia.

Mësohet se asnjë prej shqiptarëve nuk ka kontaktuar me familjarët. Anija është gjetur nga autoritetet egjiptiane të cilat kanë shoqëruar 3 egjiptianët në polici.

Ata po merren në pyetje për të zbardhur ngjarjen dhe për të dhënë indicie për pengmarrësin Adel M.Salam, i cili dje kishte dërguar mesazhin e fundit ku kërkonte 70 mijë euro pasi në të kundërt do të digjte anijen bashkë me 2 shqiptarët.

Tashmë pritet që policia shqiptare të lidhet me atë egjiptiane për të zbardhur më tej këtë ngjarje dhe fatin e kapitenit Dhimitër Malja. /Telegrafi/