Telegrafi

Gjendet Navalny i cili ishte zhdukur për 20 ditë – avokati i tij përshkruan “kushtet e ashpra” të vendit ku ndodhet ai

Kritiku i burgosur i Kremlinit, Alexei Navalny është vendosur në një burg në Rusinë veriore, pasi u zhduk për rreth 20 ditë, tha zëdhënësja e tij të hënën.

“Kemi gjetur Alexei Navalny. Ai tani është në IK-3 në vendbanimin Kharp në distriktin autonom Yamal-Nenets”, shkroi Kira Yarmysh në X, dikur Twitter, përcjell Telegrafi.

Ajo tha se avokati i Navalny-t e vizitoi atë më herët gjatë ditës, duke shtuar se ai “është mirë”.

Avokati i mërguar i Navalny, Ivan Zhdanov, e quajti IK-3 “një nga burgjet më veriore dhe më të largëta të burgjeve” në Rusi.

“Kushtet atje janë të ashpra, me një regjim të veçantë në zonën e permafrostit. Është shumë e vështirë për t’u arritur dhe nuk ka sisteme për dërgimin e letrave ose për telefonata”, shkroi Zhdanov.

“Situata me Alexei është një shembull i gjallë i mënyrës sesi sistemi i trajton të burgosurit politikë, duke u përpjekur t’i izolojë dhe shtypë ata”, tha ai, duke e lidhur izolimin e Navalny me zgjedhjet presidenciale të Rusisë të vitit 2024, në të cilat Putini pritet të fitojë mandatin e tij të pestë.

Vendndodhja dhe gjendja e Navalny ishin të panjohura që kur avokatët e tij u takuan për herë të fundit me të më 5 dhjetor, duke shkaktuar shqetësime se jeta e 47-vjeçarit mund të jetë në rrezik.

Navalny u ka kërkuar rusëve që të “votojnë për çdo kandidat tjetër” përveç Putinit në zgjedhjet e 15-17 marsit.

Navalny u burgos në vitin 2021 pasi u kthye në Moskë nga Gjermania, ku u shërua nga një sulm thuajse vdekjeprurës me agjentin nervor Novichok të projektuar nga sovjetikët.

Ai pretendon se helmimi ishte orkestruar nga Putin, një pohim që Kremlini e mohon. /Telegrafi/