Është gjendur arma e krimit me të cilën 19-vjeçarja dyshohet se ka vrarë babanë disa ditë më parë në Shën Vlash të Durrësit.
Raportohet se forcat RENEA dhe policia e Durrësit sapo kanë gjetur armën e krimit në një kënetë, sipas tregimit në vendngjarje të 19-vjeçares.
Hygerta Meta dyshohet se vrau të atin Pëllumb Meta me katër plumba, dhe më pas e groposi në kasollen e bagëtive. 19-vjeçarja studente e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja ndërmori aktin e rëndë, pasi viktima donte ta fejonte pa dëshirën e saj.
Janë ende të paqarta detajet se si ka ndodhur dinamika e ngjarjes dhe nëse ajo është ndihmuar nga nëna dhe vëllezërit e saj, të cilët janë vënë nën hetim dhe po merren në pyetje në polici.
Dyshohet se viktima ishte një person autoritar dhe i rreptë në familje, edhe pse fqinjët e përshkruajnë të qetë dhe pozitiv. Djali i madh i familjes e kishte denoncuar të zhdukur viktimën dhe pas 10 ditësh hetime policia gjeti trupin të groposur, shkruan TCH.
Në datën 17 shkurt është bërë e mundur gjetja e automjetit të 50-vjeçarit, të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia. Grupi i posaçëm hetimor po vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore, shtetas të tjerë të implikuar në këtë ngjarje, ndërsa trupi i tij është zhvarrosur dhe është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës mjekoligjore.