Rreth 1 mijë e 600 municione eksplozive të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm janë gjetur nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), në Parkun e Lirisë në Ferizaj.
Lajmin e ka bërë të ditur të mërkurën ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, përmes një postimi në Facebook.
Mehaj ka thënë se në mesin e municioneve ka predha të mortajës dhe artilerisë, të mbetura kryesisht nga Lufta e Dytë Botërore, të cilat sipas tij, nuk do të paraqesin më rrezik për qytetarët.
“Heronjtë tanë vazhdojnë misionin e shenjtë për Kosovën, çdo ditë e më të sigurt nga mjetet e pashpërthyera. Specialistët tanë të deminimit janë duke kryer operacionet e pastrimit në Parkun e Lirisë në Ferizaj, ku kanë hasur në një sasi të madhe të municioneve eksplozive të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm”.
“Rreth 1600 copë municioneve të gjetura që përfshijnë predha të mortajës dhe artilerisë, të mbetura kryesisht nga Lufta e Dytë Botërore nuk do të paraqesin më rrezik për qytetarët tanë. Kompania e Deminimit do të vazhdoj me përkushtim të lartë deri në pastrimin e të gjitha fushave të rrezikshme me mina dhe municione eksplozive. Vazhdojmë drejtë sukseseve të radhës!”, ka shkruar ministri./Telegrafi/